-11.6 C
New York
Saturday, January 24, 2026

Buy now

Kosova në agimin e Rendit të Ri Botëror: Bordi i Paqes, mundësi e re?

- Advertisement -

 

Ruptura e rendit të vjetër botëror, formimi i Bordit të Paqes, në të cilin përfshihen Shqipëria dhe Kosova, flet për Agimin e Rendit të Ri Botëror që do të sqarojë gjeografitë e interesit multipolar.

Sipas Presidentit Trump, Bordi i Paqes mund të jetë edhe zëvendësim i OKB-së.

Shumësia e platformave multilaterale kërkon rikalibrim dhe navigim pragmatik të politikës së jashtme.

Në prag të anëtarësimit në BE, me futjen në Bordin e Paqes të udhëhequr nga Presidenti Trump, Shqipëria mund të jetë nën vëzhgim më të shtuar nga vendet anëtare të BE-së. Kritikat për veprim të ngutshëm nga ana e partnerëve evropianë, si Franca, Italia, Belgjika etj., mund të jenë reale. Me shpresë se ky veprim, edhe pse i matur nga kryeministri Rama, nuk do të ndikojë në rrugëtimin drejt integrimit në BE!

Është kjo frikë apo dilemë, ngase MAGA dhe Strategjia Nacionale e Sigurisë (NSS) së ShBA-së, por jo edhe Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2026, nuk i kundrojnë me simpati organizatat multilaterale dhe ato ndër­shtetërore. Më me dëshirë, dhe në përputhje me interesin “America First”, administrata Trump parasheh bashkëpunim me shtetet dhe jo aq me organizatat.

Përkujtojmë se ShBA është larguar nga 51 agjenci të OKB-së, përfshirë OBSh-në, dhe nga 53 organizata të tjera, siç është Komisioni i Venecias si paradhomë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Të gjitha qëndrimet e deritanishme të Presidentit Trump dhe të administratës së tij na bëjnë të mendojmë se, sipas tyre, BE është organizatë e paqëndrueshme, ndërsa në anën tjetër “Coalition of the Willing” (Koalicioni i të Vullnetshmëve) jo se dëshiron të ruajë rendin e vjetër botëror, por projekton një “multilateralizëm të reformuar”, një përfshirje të Global North me Global South në reformë dhe jo realizim të Doktrinës Monroe “Western Hemisphere”.

Doktrina Monroe, e paraparë në NSS, e trajton Evropën me shpotitje dhe, edhe pse Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Fiskal 2026 flet për ndihmën për Ballkanin Perëndimor që të anëtarësohet në NATO dhe BE, në thelb një marrëveshje eventuale SHBA – Rusi, të cilën e paralajmëron ministri i Jashtëm rus, Lavrov, që do të ishte kompromis për arritjen e paqes në Ukrainë, Siri, Gaza dhe në Ballkan, do të krijonte ambient për realitete të tjera. Gjithnjë nën sfondin e ShBA-së dhe aleatëve rajonalë të saj, siç e parasheh “Balkan Peace Platform” e ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan apo “platforma e sigurisë dhe stabilitetit” e MPJ Yvette Cooper të Britanisë së Madhe në kuadër të Procesit të Berlinit apo samitit të Hillsborough Castle.

Duke e përcjellë agimin e Rendit të Ri në Davos dhe themelimin e Bordit të Paqes në Davos, atëherë politika e jashtme, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, edhe pse pozicionet e dy vendeve dallojnë diametralisht, do të duhej të rikalibrohej duke lundruar mbi parametrat realë.

Kosova do të duhej të shfrytëzojë platformën e Bordit të Paqes për njohje nga vendet anëtare të bordit që ende nuk e kanë njohur. Është e palogjikshme që vendet të jenë anëtare të një organizate ndërkombëtare dhe të mos e njohin njëra-tjetrën. Andaj, angazhimi për paqe nënkupton bashkëpunim dhe njohje të vlerave të vendeve.

Për këtë, besoj se Shqipëria do të duhej ta vendoste këtë angazhim si prioritet të lartë në listën e prioriteteve.

Duke mos i ditur arsyet pse Serbia nuk është ftuar në Bordin e Paqes të udhëhequr nga Presidenti Trump, prezenca eventuale e saj në këtë platformë do të mund të shfrytëzohej që dokumenti i “mars–prill”, i paralajmëruar se do të kurorëzojë (mos)marrëveshjen Kosovë – Serbi.

Ndërkohë, negociatat teknike (për të pagjeturit), edhe pse pa legjitimitet dhe legalitet të palës kosovare, nën lehtësimin e ndërmjetësuesit të BE-së, Sorensen, po vazhdojnë!

Bordi i Paqes riafirmon Kosovën si shtet dhe e rikthen si të tillë në hartën botërore, pas imazhit të dëmtuar në pesë vitet e fundit.

Rinumërimi i votave për shkak të tjetërsimit të vullnetit qytetar prek integritetin e votës dhe vë në dyshim kredibilitetin e procesit zgjedhor, duke rrezikuar tejzgjatjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.

Të ngjashme

Të fundit