32.6 C
New York
Wednesday, July 9, 2025

Buy now

Kosova me mbi 581 mijë banesa – 207 mijë të pabanuara, ndërsa çmimet arrijnë deri në 2 500 euro

- Advertisement -
Kosova numëron gjithsej 581,095 banesa, prej të cilave 356,959 janë të banuara, ndërsa 207,165 banesa, ose 35.7%, janë të pabanuara. Këto të fundit përfshijnë banesat e destinuara për shitje, dhënie me qira apo përdorime të tjera.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin me të dhëna të detajuara për banesat dhe ndërtesat sipas komunave, në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024.

Ky publikim ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi strukturën e banesave në nivel kombëtar dhe komunal, duke përfshirë tregues të rëndësishëm që ndihmojnë në analizimin e zhvillimeve në sektorin e banimit dhe planifikimin urban.

Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 581,095 banesa, nga të cilat 356,959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë.

Ndërkohë, 207,165 banesa, që përbëjnë 35.7% të totalit, rezultojnë të pabanuara — përfshirë ato të destinuara për shitje, dhënie me qira apo përdorime të tjera.

“Raporti përfshin informacione të detajuara për: Numrin e përgjithshëm të banesave sipas komunave. Shpërndarjen e banesave në vendbanime urbane dhe rurale. Klasifikimin e banesave në të banuara dhe të pabanuara. Llojin e furnizimit me ujë. Llojin e sistemit të shkarkimit të ujërave të zeza. Mënyrat e ngrohjes në banesa. Numrin e dhomave në banesat e zakonshme”.  08ac217e-59da-47b2-a933-f9da9d73a868.pdf

ASK thotë se këto të dhëna janë një burim i rëndësishëm për politikat zhvillimore, si dhe për hartimin e strategjive për përmirësimin e kushteve të banimit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të hapësirës.

Analiza e shpërndarjes së banesave të banuara dhe të pabanuara shërben gjithashtu për të kuptuar trendët e zhvillimit urban dhe rural, duke ndihmuar komunat në planifikimin e nevojave të ardhshme për infrastrukturë dhe shërbime publike.

Kurse, çmimi i një metri katror të banesave në Prishtinë aktualisht sillet nga 1,200 deri në 2,500 euro.

Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare, një metër katror në kryeqytet kushton nga 1,200 euro deri në 2,500 euro, varësisht nga lokacioni, ndërtimi dhe cilësia e objektit.

Zonat më të shtrenjta mbeten qendra e qytetit, lagjja “Arbëria” dhe “Pejton”, ku çmimet shpesh e tejkalojnë kufirin prej 2,000 euro për metër katror.

Në Zonën e Prishtinës së Re çmimi i një metri katror të banesave aktualisht është 1,200 euro. Në rrugën C, metri katror i një banese sillet nga 1,400 deri në 1,500 euro, ndërsa në rrugën B për ta blerë aktualisht një banesë duhet paguar 1,500 deri në 1,700 euro për metër katror. Dhe, pastaj vjen pjesa e kryeqytetit me zona ndjeshëm më të shtrenjta të banesave.

Zonat më të shtrenjta në kryeqytet janë qendra e qytetit, lagjja Arbëria dhe Pejtoni, ku çmimet shpesh tejkalojnë 2,000 euro për metër katror.

Sipas të dhënave statistikore të Agjencisë së Statistikave  edhe sipas ndërtimtarëve është evidente ngritja e kostos së ndërtimit në muajt e deritashëm të 2025-tës.

Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja të Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e parë (TM1) 2025, “kostoja e ndërtimit në Kosovë pati rritje për 1,7 për qind në tremujorin e parë të 2025-tës, krahasuar me tremujorin e fundit të 2024 -tës”. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të sivjetshëm me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 6,5 për qind.

ASK-ja ka evidencuar se në këtë periudhë, pagat e punonjësve në sektorin e ndërtimtarisë janë rritur 2,4 për qind, ndërsa materialet e ndërtimit prej 1,9 për qind ishin ndikim në rritjen e kostos së ndërtimit, dhe shpenzimet e tjera në këtë sektor në tremujorin e parë janë rritur për 1,8 për qind.

Për 13 vjet – nga 2011-ta deri më 2024 – numri i banesave dhe shtëpive në Kosovë është rritur për 43 për qind.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vendi, me rreth 1.6 milion banorë, ka 590 mijë banesa apo shtëpi të banueshme.

Të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë, vitin e kaluar, tregojnë po ashtu se mbi 96 për qind e familjeve janë pronare të shtëpive ku jetojnë.

Vëzhguesit e këtij trendi thonë se mentaliteti i qytetarëve është që investimi në objekte banimi, siguron zgjidhje afatgjate për mirëqenien e familjes.

Çmimet e banesave në Kosovë nisën të rriten në vitin 2021, për shkak të çrregullimeve në tregjet ndërkombëtare të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Me rritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, banesat u shtrenjtuan mbi 20%.

Të ngjashme

Të fundit