Në korrik 2025, inflacioni vjetor në Kosovë, i matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, ishte 4.3 për qind. Kjo përbën një ritëm dukshëm më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila shënoi 2.4 për qind, një hendek prej 1.9 pikë përqindjeje.
Madje, në të njëjtin muaj, edhe zona e euros qëndroi në 2.0 për qind, duke dëshmuar stabilitet relativ krahasuar me Kosovën.
Në Kosovë, pjesën më të madhe të inflacionit e kanë gjeneruar ushqimet dhe pijet joalkoolike. Çmimet e kafesë, çajit dhe kakaos janë rritur me 16.9 për qind, ndërsa mishi është shtrenjtuar me 12.7 për qind. Pemët kanë shënuar një rritje prej 12.3 për qind dhe perimet 10.7 për qind, shkruan Nacionale.
Në BE, inflacioni ka qëndruar relativisht stabil, duke kaluar lehtë nga 2.3 për qind në 2.4 për qind gjatë korrikut, ndërsa eurozona mbeti në nivelin 2.0 për qind.
Në BE, rritjet kryesore janë shtyrë nga shërbimet, të ndjekura nga ushqimi, alkooli, duhani dhe mallrat joenergjetike. Ndryshe nga Kosova, energjia ka luajtur një rol frenues në rritjen e çmimeve në Evropë.
“Norma vjetore e inflacionit në zonën e euros ishte 2.0% në korrik 2025, e qëndrueshme krahasuar me qershorin. Një vit më parë, norma ishte 2.6%. Inflacioni vjetor në Bashkimin Evropian ishte 2.4% në korrik 2025, nga 2.3% në qershor. Një vit më parë, norma ishte 2.8%. Këto të dhëna publikohen nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian.” – thuhet në raportin e Eurostat.
Kosova nuk është e panjohur me fenomenin e inflacionit të lartë viteve të fundit. Në vitin 2022, vendi u përball me një valë të paprecedentë, ku mesatarja vjetore arriti 11.6 për qind, ndërsa vetëm në korrik norma u ngjit në 16 për qind.
Këtë herë, sipas të dhënave, rritja po ushqehet nga ushqimet e importuara (sidomos kafe/kakao) dhe rryma, ndërsa transporti po e zbut pjesërisht.