Kosova do ta mbyllë vitin 2024 pa 60 milionë eurot e para-financimit të Bashkimit Evropian, ndonëse shefja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, kishte paralajmëruar gjatë vizitës së tetorit në Prishtinë se Kosova do të përfitojë një shumë të tillë në kuadër të Planit të Rritjes deri në fund të vitit 2024.
Kështu kanë konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express nga Komisioni Evropian.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë për Gazetën Express se përkrahja në kuadër të parafinancimit do të arrijë tek vendet që e kanë kërkuar në fillim të vitit 2025, duke theksuar gjithashtu kushtin për zbatimin e kushteve të përgjithshme dhe para-kushteve të cilat lidhen me Dialogun e që vlejnë për Kosovën dhe Serbinë.
“Parafinancimi do të arrijë te përfituesit që e kanë kërkuar atë nga fillimi i vitit 2025, në varësi të procedurave të brendshme në vendet e zgjerimit. Në përgjithësi, shpërndarja e parafinancimit varet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Facilitetit dhe Marrëveshjes së Kredisë, si dhe nga respektimi i parakushteve dhe kushteve të përgjithshme.Ne punojmë ngushtë me përfituesit për të shpërndarë parafinancimin sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Të pyetur në mënyrë specifike nëse është bërë ndonjë vlerësim për Kosovën sa i përket përmbushjes së parakushteve që lidhen me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë edhe atyre të vjetrave, nga Brukseli kanë thënë për Gazetën Express se Komisioni Evropian do të monitorojë përmbushjen e parakushteve, përfshirë edhe marrjen parasysh në mënyrë të duhur rolin dhe kontributin e Zyrës së Shërbimit të Jashtëm që drejtohet tashmë nga Kaja Kallas.
Roli dhe kontributi i EEAS ( European External Action Service) do të merret për bazë përpara pagesës dhe në kohën kur do të afrohet koha e pagesës.
“Komisioni do të monitorojë përmbushjen e parakushteve, duke marrë parasysh në mënyrë të duhur rolin dhe kontributin e EEAS, përpara pagesës, pra më afër kohës së pagesës”, kanë përfunduar për Gazetën Express nga Komisioni Evropian.
Ndonëse BE në mënyrë të përsëritur ka theksuar parakushtet për Kosovë në mënyrë që të mundësohet përfitimi nga Plani i Rritjes, Qeveria e Kosovës s’ka bërë asnjë hap drejt zbatimit të Marrëveshjes Bruksel-Ohër dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Prej kohësh shtetet aleate janë duke kërkuar që të procedohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke e çuar Draftin e BE në Kushtetuese.