16.4 C
New York
Friday, October 10, 2025

Buy now

Kosova luan për tri pikë sonte kundër Sllovenisë

- Advertisement -

Me nëntë fitore në 11 ndeshjet e fundit dhe gjashtë fitore radhazi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku më së fundi mposhtën Suedinë me rezultat 2:0, Kosova po luan seriozisht për të kaluar në Botërorin 2026. Në ndeshjen e sonte (20:45) ndaj Sllovenisë, “Dardanët” në “Fadil Vokrri” synojnë vetëm fitore.

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar mbrëmë seancën e radhës stërvitore në prag të ndeshjes së nesërme kundër Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Përzgjedhësi Franco Foda është përqendruar në aspektin taktik, duke punuar mbi detajet e fundit për këtë ndeshje të rëndësishme. Atmosfera në kampin dardan është tejet pozitive, derisa përkushtimi i futbollistëve dhe besimi në fitore është maksimal. Një optimizëm të tillë e shfaqën edhe përzgjedhësi Foda dhe portieri Arijanet Muriq në konferencën për media.

Foda ka konfirmuar se ndaj Sllovenisë nuk do të jetë në dispozicion mbrojtësi Lumbardh Dellova për shkak të lëndimit, ndërsa ka theksuar se pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje shumë të mirë fizike dhe mendore.

“Dellova fatkeqësisht është i lënduar dhe nesër nuk do të jetë në dispozicion për Kombëtaren e Kosovës. Atmosfera e përgjithshme është shumë e mirë, të gjithë lojtarët e tjerë janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për këtë ndeshje. Jam i bindur se para publikut tonë do të kemi paraqitje të mirë”, deklaroi Foda.

Ai kujtoi përballjet e kaluara ndaj Sllovenisë si trajner i Austrisë, duke theksuar se pret një ndeshje të vështirë, por të balancuar.

“Sllovenia ka mbrojtje shumë të mirë dhe pranon pak gola. Për ne është e rëndësishme të jemi të koncentruar në mbrojtje dhe të krijojmë mundësi për të shënuar. Kemi edhe publikun prapa nesh, ‘Dardanët’, që na japin forcë shtesë. Duhet të luajmë para dhe të jemi efikasë në sulm”, theksoi Foda.

Në lidhje me përzgjedhjen e lojtarëve për ndeshjet e tetorit, Foda shtoi: “Këtë herë kemi ftuar lojtarët më në formë dhe jam shumë i kënaqur me grupin që kemi. Sigurisht, na mungon shumë kapiteni Amir Rrahmani dhe Dellova, por ndaj Suedisë treguam se edhe me mungesa dimë të japim përgjigje të fortë. Lojtarët që janë këtu e kanë cilësinë për të luajtur ndaj Sllovenisë”.

“Kemi një grup shumë të fortë dhe të balancuar. Luajmë në shtëpi dhe pas fitores ndaj Suedisë kemi fituar vetëbesim të mirë. Në fund të ciklit do të shihet kush do ta fitojë grupin dhe kush do të kualifikohet”, tha Foda.

Ndërkaq, portieri i Kosovës dhe i Sassuolos, Arijanet Muric, në konferencën për media u shpreh i bindur se Kosova mund të arrijë fitore ndaj Sllovenisë.

“Jam shumë i lumtur me formën time aktuale dhe nesër pres fitore. Ne si ekip do të japim gjithçka për të marrë tri pikët. Do të jetë një ndeshje e fortë, por kemi besim të plotë në aftësitë tona”, u shpreh Muric.

Ai kujtoi ndeshjet e vitit 2020 ndaj Sllovenisë dhe vuri në pah zhvillimin që ka pasur Kosova që atëherë.

“Nëse kthehemi pas, shihet qartë sa shumë jemi zhvilluar si skuadër. Tani kemi lojtarë që luajnë në liga më të forta dhe janë më të përgatitur fizikisht e profesionalisht. Ky është momenti ideal për ta treguar këtë përparim në fushë”, tha ai.

Portieri i Dardanëve foli edhe për sigurinë që ndien me mbrojtjen e ekipit: “Gjithmonë jam ndier i sigurt me bashkëlojtarët e mi. Ndonjëherë paraqitja varet nga dita, por gjithmonë e vlerësoj punën që ata e bëjnë përpara meje për ta lehtësuar punën time”.

Sa i përket kundërshtarit, Muric theksoi se çdo ekip kombëtar ka futbollistë cilësorë, por shtoi se përkrahja e publikut do të jetë faktor vendimtar.

“Çdo kombëtare ka lojtarë të mëdhenj, edhe Sllovenia. Por ne kemi përkrahjen e madhe nga publiku ynë. Kjo na jep energji shtesë për të dhënë maksimumin”.

Të ngjashme

Të fundit