Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të heqë sa më shpejt masat kufizuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i vendosi gati dy vjet më parë.
“Qëndrimi i vendit tim është që BE-ja duhet t’i heqë ato masa. Për këtë avokojmë dhe sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë do të jetë”, ka deklaruar ai në konferencë për media pas takimit me homologen Vjosa Osmani në Prishtinë.
Rinkevics theksoi se gjatë takimit me Osmanin është diskutuar për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen që BE-ja mund të ofrojë për Kosovën.
Presidenti letonez theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve, si dhe theksoi mbështetjen e Letonisë për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.
Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të premtojë që Kosovës do t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE deri në fund të vitit, duke theksuar se një vendim i tillë kërkon unanimitet nga të gjitha vendet anëtare.
Në fund, ai përgëzoi Kosovën për harmonizimin me politikat e BE-së dhe mbështetjen e saj për Ukrainën, duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet një çështje me rëndësi të madhe për Bashkimin Evropian.
Ai gjithashtu paralajmëroi vizitë te trupat letonezë që janë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë.