Kosova ka firmosur kontratë me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General, për blerje të sistemeve moderne të artilerisë mobile “HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS)”.
Siç ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në kontratë gjithashtu përfshihen automjete moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtja si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje.
“Me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta.
Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.






