Njëmbëdhjetë muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, hetimet rreth rastit po vazhdojnë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj kriminelit Millan Radojiçiq, që 5 ditë pas sulmit të 24 shtatorit e pranoi se e udhëhoqi grupin e armatosur për ta sulmuar shtetin e Kosovës.
Jo pak kritika ka pasur në drejtim të organeve të drejtësisë për vonesë në ngritjen e aktakuzës, por njohësit e drejtësisë, vlerësojnë ndryshe.
Duke e cilësuar si rastin më kompleks që do ta trajtojë drejtësia e shtetit të Kosovës, ata presin që aktakuza, kurdo që ngrihet, të jetë profesionale.
“Me rëndësi është kur të ngritet aktakuza, të jetë e bazuar në fakte në dëshmi, të jetë një aktakuzë profesionale, e cila pastaj lehtësisht do të provohet në gjykatë”. Republika e Kosovës, Prokuroria Speciale, në këtë rast, nuk e ka luksin që të bëjë gabime që të ngris një aktakuzë para kohe, e cila pastaj nuk mund të provohet në gjykatë”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Një njohëse tjetër e drejtësisë vlerëson se e të njëjtës rëndësi sa ngritja e aktakuzës është edhe trysnia e faktorit ndërkombëtar, që ta bindë shtetin serb t’i dorëzojë në Kosovë personat e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.
“Po shohim se Radojiqi dhe të tjetrët që i shohim si bashkëpjesëmarres në këtë vepër, vetëm përmes një trysnie të bashkësisë ndërkombëtare, duhet të sillen në Kosovë, mirëpo Serbia siç ka dëshmu që prej pasluftës, nuk ka vullnet për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë në Kosovë”, tha Fehmie Gashi- Bytyqi, avokate.
Armatim masiv u gjet në Banjskë të Zveçanit, pas sulmit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Përballja e autorëve të sulmit me drejtësinë në Kosovë nuk dihet si dhe kur do të ndodhë!