Gjatë vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se Kosova së shpejti do të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, si hap drejt anëtarësimit në NATO. Por, deputetë opozitarë nga Komisionit për Siguri thonë për Tëvë1 se deklaratat e Kurtit janë për konsum të brendshëm pasi që vendi ende nuk i ka plotësuar kapacitetet për këtë mekanizëm.
Menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, në Kosovë u ndërmorën disa hapa simbolik, që tregonin për nevojën e anëtarësimit në NATO.
Në marsin e vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti formoi grupin punues për përshpejtimin e këtij procesi.
Kurti deklaroi disa herë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim, fillimisht në Partneritetin për Paqe.
Por, anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri thotë se këto janë deklarata politike, pasi që Kosova ende nuk i ka kapacitetet ushtarake për këtë mekanizëm.
Deputeti opozitar kërkon që institucionet të punojnë më shumë në këtë drejtim.
Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se mosanëtarësimi i vendit në këtë organizatë vjen si pasojë e katër vendeve mosnjohëse të Kosovës, brenda Aleancës Veriatlantike.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s.
Programi përfshin çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis.