Policia e Kosovës ka njoftuar se më 16 shkurt 2026 është realizuar ekstradimi nga Zvicra në Kosovë i një shtetasi kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, ekstradimi është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë. I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë.
Ekstradimi është realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre zvicerane.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.






