Kosova po vazhdon të jetë edhe më tej e varur nga importi, gjë e cila thuhet se po ndikon në rritjen e çmimeve në vend. Vetëm për muajin maj vlera e importit shkoi në mbi 604 milionë euro. Pronar biznesesh kërkojnë që të mbështeten më shumë prodhuesit vendorë në mënyrë që të rritet edhe eksporti. Ndërkaq, për shkak të luftës Iran-Izrael, është paralajmëruar rritje e inflacionit.
Kosova edhe sivjet po përballet me rënie të dukshme të prodhimeve vendore, gjë e cila thuhet se ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve në tregun kosovar. Që nga ushqimet më esenciale, si buka dhe drithërat, mishi, lëngjet, uji, pemët, produkte të tjera ushqimore kanë shënuar rritje. E bashkë me to u ngritën edhe çmimet e produkteve të kujdesit personal, shërbimeve hoteliere, shërbimet për transport, shërbimet ambulantore e të tjera.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se vetëm në maj të 2025-s importi kap vlerën e mbi 604 milionë eurove. Ndërsa, Kosova gjatë kësaj periudhe eksportoi produkte me vlerë 81.4 milionë. Pronarë biznesesh thonë se Kosova duhet t’i plotësojë kushtet e prodhuesve vendorë, në mënyrë që të prodhohet më shumë.
Njohës të ekonomisë nuk përjashtojnë rritjen e mëtejshme të çmimeve derisa vendi të varet nga importi. Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë paralajmëruar rritje të inflacionit, për çka kanë kërkuar që bizneset të mbështeten me pako financiare.
Pronar të bizneseve kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve edhe më tej si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe daljes në tregun e hapur energjetik.
Mirëpo, nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë i kanë thënë RTK-së se për çdo vit mbështesin bizneset kosovare me grante të ndryshme derisa janë zotuar edhe për përkrahje të mëtejme. /RTK/