9.8 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për kalimin pa kontroll kufitar në Vërmicë

- Advertisement -

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës nga ana e Kosovës dhe Morinës nga ana e Shqipërisë me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave. Më herët kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës.

Protokolli i rishikuar u nënshkrua në Tiranë nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Shqipërisë, Taulant Balla.

Balla tha se gjatë periudhës së lehtësimit të kalimit kufitar nuk do të ketë kontrolle për qytetarët e dy vendeve.

“Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri ne do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 maj – 30 shtator dhe 1 nëntor – 28 shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 qershor deri në 30 shtator. Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona“, pohoi ministri Balla, ka raportuar “Tv Klan”.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se po punohet që qytetarët të mos ndjejnë asnjë kufizim në pikat kufitare.

“Në vazhdimësi po thellojmë bashkëpunimin, jemi të vendosur për më shumë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve tanë e të jemi sa më efikas në luftimin e krimit në vendet tona. Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen ‘burokraci zero’, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta. Edhe Policitë tona të bashkëpunojnë sikurse bashkëpunojnë Departamentet brenda policisë”, u shpreh ministri Sveçla.

Balla ndërkaq tha se gjatë vitit 2023 janë regjistruar në hyrje përmes kësaj pike kalimi 1,445,204 shtetas shqiptarë dhe 4,430,161 shtetas të huaj.

“Shifra që flasin për dyfishim të lëvizjeve në këtë pikë kufitare krahasuar me vitin 2021. Duke marrë në konsideratë në përgjithësi fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve në këtë pikë, si dhe po ashtu duke marrë në konsideratë situatën e veçantë gjatë sezonit turistik veror dhe sezonit turistik dimëror, sepse unë mendoj që duhet t’i japim një shtytje edhe sezonit dimëror, duke përfituar në fakt edhe nga bukuritë natyrore që ofron Kosova. Në këtë aspekt përmes kësaj marrëveshje do të shmangim radhët e gjata dhe do të lehtësojmë kushtet e udhëtimit të qytetarëve tanë”.

“Uroj dhe mendoj që shpreh të njëjtin mendim me mikun tim ministrin Sveçla, që këtë sezon mirëpresim më shumë motra dhe vëllezër kosovarë duke i garantuar që nuk ka asnjë pengesë të asnjë lloji në kufi”, u shpreh Balla.

Ai deklaroi se kanë diskutuar edhe në rishikimin e protokolleve të tjera, duke përfshirë pikat tjera përbashkëta kufitare mes dy vendeve, siç janë ajo në Valbonë, në Shishtavec dhe zona të tjera turistike të Shqipërisë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit