Kombëtarja e Kosovës në futboll për vajza e ka nisur me sukses edicionin e ri në Ligën e Kombeve.
Në kuadër të Grupit 6 në Ligën C, Dardanet triumfuan si mysafire në Shkup ndaj Maqedonisë së Veriut, me rezultat bindës 4:0, njofton FFK.
Kjo ishte ndeshja e parë e Kosovës nën drejtimin e përgjedhësit të ri, Sami Sermaxhaj. Vajzat tona e nisën fuqishëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi qysh në minutën e 6-të, kur Kaltrina Biqkaj shënoi nga brendësia e zonës. Edhe pas golit, Kosova vazhdoi të dominojë dhe krijoi disa raste të mira shënimi, por pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 1:0.
Në pjesën e dytë, Dardanet u shfaqën edhe më superiore. Pas vetëm katër minutash lojë, Kaltrina Biqkaj realizoi golin e dytë personal dhe të ekipit me një gjuajtje nga distanca, duke e çuar rezultatin në 2:0. Epërsia e Kosovës u thellua më tej, kur Gentiana Fetahaj shënoi në minutën e 65-të dhe vetëm dy minuta më vonë, Valentina Mehaj vulosi rezultatin përfundimtar 4:0.
Kjo fitore është një sinjal i fortë për ambiciet e Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve për rikthim në Ligën B. Ndeshjen e radhës, Dardanet do ta zhvillojnë më 25 shkurt kundër Letonisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 14:00.