Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka njoftuar se është takuar me James Caradano, një nga udhëheqësit kryesorë për politikë të jashtme dhe siguri në këtë fondacion dhe Max Primorac, ekspert i lartë në Qendrën “Margaret Thatcher”.
Hamza thotë se Kosova gjithmonë ka qenë e bekuar me përkrahjen bipartizane, qoftë nga administrata e demokratëve, ashtu edhe ajo e republikanëve.
“Kosova ka qenë e bekuar me përkrahjen bipartizane, qoftë nga administrata e demokratëve, ashtu edhe ajo e republikanëve. Shteti ynë duhet ta ruajë këtë vlerë dhe të përmbahet nga animet eventuale në politikën dhe preferencat zgjedhore të qytetarëve amerikanë. Kosova ka miq dhe i duhen miq në tërë peizazhin politik amerikan, prandaj edhe takimet e mia kanë në fokus ndërtimin e lidhjeve të fuqishme, si me demokratët dhe administratën Biden, ashtu edhe me republikanët dhe zyrtarët e administratës së ish Presidentit Trump”.
Sipas tij, polarizimi në Kosovë nuk duhet të eksportohet.
“Na nevojitet puna e përbashkët. Ky ishte edhe premtimi im ndaj zyrtarëve në Heritage Foundation, Atlantic Council dhe ekspertëve të tjerë që takova këto ditë”.