Kosova drejt ndeshjes me Sllovakinë, Foda gati listën e lojtarëve

- Advertisement -

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, pritet që më 20 mars ta bëjë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Kombëtares së Sllovakisë.

Përballja ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë do të zhvillohet më 26 mars në Bratislavë dhe vlen për gjysmëfinalen e play-offit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Kjo listë konsiderohet ndër më të rëndësishmet e Fodës që nga marrja e drejtimit të Kombëtares së Kosovës, pasi “Dardanët” ndodhen vetëm dy ndeshje larg realizimit të një kualifikimi historik në Botëror.

Fituesi i këtij takimi do të sigurojë finalen e play-offit, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Kombëtares së Turqisë dhe Kombëtares së Rumanisë.

Ndeshja finale zhvillohet më 31 mars, e nëse kalojmë ne, atëherë do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”.

Sa i përket listës, nuk priten ndryshime të mëdha krahasuar me grumbullimet e mëparshme. Kosovës zyrtarisht do t’i mungojë kapiteni Amir Rrahmani për shkak të një lëndimi.

Ndërkohë, Ilir Krasniqi pritet të jetë në dispozicion, pavarësisht një dëmtimi të pësuar disa ditë më parë.

Mungesë pritet të jetë edhe sulmuesi i Rubin Kazan, Dardan Shabanhaxhaj, i cili ishte i ftuar për herë të parë, por është i lënduar dhe nuk do të mund të ndihmojë ekipin.

Kombëtarja e Kosovës do të nisë grumbullimin më 23 mars për ndeshjen ndaj Sllovakisë.

Të ngjashme

Të fundit