Në mbledhjen e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e cila po mbahet në Prishtinë, në kuadër të avancimit të politikave të përbashkëta bujqësore mes dy vendeve u nënshkruan edhe dy marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe homologes së tij, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Frida Krifca.
Në fjalimin e tij hyrës, Ministri Peci theksoi se siguria ushqimore është sot kryetemë jo vetëm në rajon por edhe në mbarë globin, duke shtuar se “Shkëputja e zinxhirëve të furnizimeve me inpute bujqësore qoftë nga pandemia apo nga zhvillimet aktuale të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës po e vështirësojnë punën e fermerëve tanë, mirëpo është edhe një mundësi e mirë që vendet tona, të kyçen në zinxhirin e shkëputur dhe të krijojnë rrugë të reja për eksport”.
Sa i përket marrëveshjeve të bashkëpunimit, si një vazhdimësi e një bashkëpunimi mes dy institucioneve, marrëveshja e parë “MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI NË FUSHËN E ZBATIMIT TË PROGRAMEVE TË MBËSHTETJES PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL” lidhet me përafrimin e politikave të dy vendeve me politikat e përbashkëta bujqësore, aktivitetet e agjencive të pagesave respektivisht AZHB – AZHBR, për përgatitjen për paketën e akreditimit për fondet IPARD e gjithashtu edhe shkëmbimin e eksperiencave të ndërsjella për skemat e pagesave direkte, skemat e cilësisë, LPIS, AICS, organizimin e grupeve të prodhuesve, politikat për trajtimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, politikat e sigurimeve bujqësore e të ngjashme. Nga ana tjetër marrëveshja e dytë “MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI PËR SHKËMBIM PËRVOJASH NË PROCESET TEKNIKE” lidhet me shkëmbimin e përvojave në proceset teknike në fushën e statistikave dhe shërbimeve këshillimore ku përfshihet rrjeti i kontabilitetit në fermë apo FADN, Zhvillimi i Sistemit të Integruar Informativ Bujqësor, raportimet vjetore për bujqësinë dhe peshkimin në Komisionin Evropian, raportimi për çmimet e produkteve bujqësore në DG-AGRI, shkëmbimin e përvojave për zhvillimin e zonave rurale përmes avancimit të Shërbimeve Këshillimore dhe ngritjes së kapaciteteve të këshilluesve publiko – privat.