Komisioni Evropian ka bërë të qartë se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë marrë ende asnjë cent nga Plani i Rritjes i BE-së, pavarësisht dy viteve të zbatimit të tij. Në takimin e mbajtur sot në Tiranë mes Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe liderëve të rajonit, u nënvizua se të gjitha vendet e tjera tashmë kanë përfituar fonde të mëdha – ndërsa Kosova dhe Bosnja vazhdojnë të mbesin prapa për shkak të obligimeve të paplotësuara.
Sipas KE-së, arsyeja kryesore pse Kosova nuk ka marrë fonde lidhet me faktin se ende nuk ka ratifikuar marrëveshjet për Fondin e Reformës dhe Rritjes. Nga ana tjetër, Bosnja e Hercegovina është në pritje të miratimit të Agjendës së Reformave, që pritet të finalizohet brenda këtij muaji. Sipas KE’së, përfituesit duhet t’i zbatojnë reformat sipas afateve të dakorduara.
Ndërkohë, vendet që kanë ecur me reformat po shohin rezultate të prekshme. Deri tani, nga 414 milionë euro të lëshuara në vitin 2025, Shqipëria ka përfituar 164 milionë, Mali i Zi 45 milionë, Maqedonia e Veriut 76 milionë, ndërsa Serbia ka marrë parapagimin prej 111 milionë eurosh dhe pret dy pagesa të tjera.
KE theksoi se Plani i Rritjes po jep rezultate konkrete në rajon, duke përmendur digjitalizimin, luftën kundër ekonomisë joformale, përmirësimin e shërbimeve sociale dhe avancimin drejt integrimit në tregun e përbashkët evropian.
Në të njëjtën kohë, u rikujtua rëndësia e projekteve të mëdha infrastrukturore, përfshirë Korridorin VIII, dhe përgatitjet për integrim në zona kyçe si SEPA, roaming “Roam Like at Home” dhe Konventa e Transitit të Përbashkët.






