FIFA e ka publikuar sot ranglistën më të re të Kombëtareve.
Në renditjen e re, Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie për një pozitë.
Derisa në muajt e kaluar ishin në vendin e 106-të, tash “Dardanët” e shohin veten në vendin e 107-të me 1187.01 pikë.
Verdhekaltrit gjenden përpara Tajikistanit dhe prapa Indisë.
FIFA e ka freskuar renditjen duke u bazuar në ndeshjet e muajit shtator.
Muajin e kaluar, Kosova u mund nga Irlanda e Veriut, 1:2 dhe më pas e mposhti Qipron, 5:1.
Ndërkohë, Kombëtarja shqiptare nuk ka lëvizur nga pozita e 66-të, të cilën e mbante edhe muajin e kaluar, me 1354.11 pikë, përpara Afrikës së Jugut dhe prapa Maqedonisë së Veriut.
Kuqezinjtë u mposhtën nga Izraeli dhe barazuan me Islandën në Ligën e Kombeve në muajin që shkoi.
Renditjes së përgjithshme vazhdon t’i prijë Brazili, i ndjekur nga Belgjika e Argjentina.