Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, sot nënshkuan aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Presidentja Vjosa Osmani tha se me aplikimin zyrtarisht për anëtarësim në BE, po fillon realizimin e një ëndrre.
“Po aplikojmë për anëtarësim në BE dhe po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë tonë.
Në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, po marrim një hap vendimtar në jetësimin e ëndrrës tonë të patjetërsueshme.
Do të kontribuojmë edhe kështu që edhe BE të afrohet një hap më afër në jetësimin e një Kosovë të lirë dhe për paqe.
Ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet.
Kosova e meriton të jetë pjesë e familjes së BE-së”, tha ajo
Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha:
“Për Kosovën dhe rajonin anëtarësimi në BE ofron siguri, stabiliteti, prosperitet zhvillimor.
Një union që stimulon rritjen ekonomike të popujve dhe mirëqenien e tyre, ndihmon në krijimin e vendeve të punës dhe mbështet rritja ekonomike në një treg prej 450 milionë konsumatorëve”, tha Konjufca, përcjell Periskopi.
“Ftojmë PE, KE dhe komisionet që ta dëshmojnë përkushtimin ndaj Kosovës, duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe të na inkurajojnë ndërmarrjen e reformave në interes të Kosovës”, tha Konjufca.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti, tha kështu:
“Sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetin në Evropë, Bashkimin Evropian.
Këtë kërkesë do t’ia dorëzojmë presidencës çeke në Pragë.
Është hapje e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim, do të varet nga ne”, tha ai.