Për herë të parë që nga fillimi i dialogut, bashkësia ndërkombëtare ka përmendur afatet kohore për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Pranvera e këtij viti, respektivisht marsi ose prilli, janë parashikuar si afat i mundshëm për përfundimin e procesit. Por, njohësit e çështjeve politike thonë se një gjë e tillë është e vështirë për shkak të qasjes destruktive të Serbisë.
Me një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare në dialogun Kosovë – Serbi, konsiderohet që procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve mund të marr fund brenda këtij viti.
Madje, ndërmjetësuesit kanë përmendur marsin ose prillin e këtij viti, si kohë kur mund të arrihet marrëveshja për normalizim.
Por, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho në një prononcim për tëvë1 tha se për shkak të qasjes së Serbisë, është e vështirë që në pranverë të arrihet marrëveshja mes palëve.
“Ata mendojnë që nga çdo situatë e papritur nga çdo konjukturë e kohës të fitojnë sa më shumë. Është një çështje e tyre, që është një çështje që ka mbetur dhe e mbajnë ata zvarrë, por është një çështje që ata e kanë krijuar të tillë dhe unë nuk mendoj që afatet e vendosura nga perëndimi janë gjëra që duan të respektohen prej tyre”, thotw Nesho.
Vështirë të arritshëm afatin e marsit e sheh edhe profesori universitar Seb Bytyqi. Ai thotë se qasja e Serbisë e pamundëson një gjë të tillë.
“Është vështirë të arrihet afati i marsit, sepse ka, deri më tash ka pasur një qasje zvarritëse nga Serbia dhe gjithashtu tashmë e kemi pa që Serbia po tenton ta shndërroi një krizë në një mundësi, ku në këmbim të vënjës së sanksioneve kundër Rusisë, po kërkon që të merr koncesione nga perëndimi dhe nga Kosova”, deklaroi ai.
Afatet kohore për arritjen e marrëveshjes kanë qenë temë e përplasjes me palëve në takimin e fundit që u mbajt më 21 nëntor në Bruksel.