Ish-deputeti, Visar Korenica ka deklaruar se “Koalicioni për Familjen” ka marrë garanci nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, se Kodi Civil nuk do të dështojë për shkak të dy neneve të kontestuara.
Korenica ka theksuar se as ai dhe as Eman Rrahmani nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre lidhur me Kodin Civil dhe projektligjin për shëndetin riprodhues me fertilizim.
“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim as në fillim, as në mes dhe as në fund. Mendojmë se shoqëria jonë ka një konstrukt të qartë vlerash konservatore, të cilat përputhen me traditën dhe identitetin tonë kombëtar e fetar”, ka thënë Korenica.
Ai ka shtuar se çdo tentim për imponim të vlerave të tjera sociale nga organizata të ndryshme nuk do të duhej të ndikohej në procesin ligjvënës.
Sipas tij, gjatë një takimi të sotëm, kryetari i PDK-së Bedri Hamza ka garantuar se nuk do të lejojë që një document kushtetues dhe i domosdoshëm si Kodi Civil të dështojë për shkak të dy neneve të veçuara.
Korenica ka theksuar se Kodi Civil është një përmbledhje e shumë ligjeve ekzistuese, të cilat deri më tani kanë qenë të shpërndara, dhe sipas tij, vonesat në miratim kanë qenë kryesisht për arsye ideologjike.
Ai ka nënvizuar se, ndryshe nga sa është pretenduar publikisht, Kodi Civil nuk ka qenë kusht i detyrueshëm për proceset e integrimit evropian.
Ndryshe, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani, një vit më parë vendosen të largohen nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të mos ndryshimit të qëndrimit të këtij subjekti sipas tyre, karshi disa ligjeve të caktuara të cilat ata kishin kërkuar të mos jenë pjesë e programit qeveritar.
“Ishte një kohë me përpjekje të shumta për të qartësuar pozicionin tonë edhe angazhimin e mëtutjeshëm politik sa i përket qëndrimeve dhe atë çfarë përfaqësonim brenda në kuvend. Duke parë se nuk kishte më rrugëdalje tjetër apo pozicionim tjetër të subjektit, karshi ligjeve të caktuara të cilat ne në vazhdimësi kemi kërkuar që ato të mos jenë pjesë përbërëse në programin qeveritar, sepse nuk ishte as pjesë përbërëse e programit gjatë fushatës, erdhi deri tek kjo situatë e re dhe pas shpalljes së zgjedhjeve të reja si rezultat i kësaj kemi marrë një qëndrim bashkë me kolegun Eman Rrahmani”, kishte deklaruar Korenica në Tëvë1.






