Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka kërkuar nga Ministrja e Arsimit, Arbëria Nagavci, që ta shfuqizon Udhëzimin Administrativ për ndalimin e shamisë.
Ai ka bërë me dije se nëse një gjë e tillë nuk ndodh, nuk do ta voton Ligjin për tekstet shkollore.
Në emisionin “Debat Plus”, Korenica ka treguar se nuk ka asgjë kundër ligjit në fjalë.
“Nuk jemi kundër përmbajtjes pse se votoj ligjin për tekste shkollore. Pse s’e kemi votu është sepse ka tre vite që ne e kemi diskutu, me ministren Nagavci që të hiqet Udhëzimi Administrativ racist për mbulesën, i cili ka krijuar kokqarje shumë vajzave që kanë vendosë ta vendosin shaminë, e që nuk kemi hasur në një mirëkuptim”, ka thënë ai.
Deputeti i VV- së ka thënë se udhëzimi në fjalë nuk është i ligjshëm.
“I kemi dhënë kohë, ky UA është i paligjshëm, kemi edhe deklaratën e zyrës së kryeministrit që i njëjti udhëzim është i kundërligjshëm. E drejta për shkollim duhet të ju garantohet të gjithëve pa dallim, pavarësisht bindjeve, në bazën e kësaj këtë e kemi marrë si pozicion të fundit që të ketë reflektim”, është shprehur Korenica.