Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili pritet të konfirmohet edhe për një mandat në krye të partisë, sot mbajti fjalimin solemn në hyrje të Konventës së Përgjithshme të kësaj partie.
Krasniqi tha se kjo Konventë është mbledhje për të rikujtuar çka kanë arritur gjatë gjithë historisë politike, por edhe për të vendosur se ku duan të shkojnë si parti.
Krasniqi tha se themeluesit e UÇK-së që gjenden në Hagë, e udhëhoqën Kosovën nga rezistenca në liri e nga lufta në shtetformim, derisa kërkoi drejtësi dhe paanshmëri nga Gjykata e Hagës për ta.
“Një proverb i vjetër thotë ‘nëse do të shkosh shpjet, shko vetëm, por nëse do të shkosh larg, shko me të tjerët’, ne jemi këtu ku jemi sepse asnjëherë nuk kemi ecur vetëm, as në luftë, as në çlirim, as në rrugën drejt pavarësisë e as gjatë gjithë rrugëtimit tonë politik. Kur lufta mbaroi e plagët ishin të freskëta uniteti ynë na mbajti në këmbë, kur flamuri ynë u ngrit për herë të parë, bashkimi ynë për ta nderuar atë ishte ajo që atij i dha kuptim”, tha Krasniqi
Kurse, për situatën politike aktuale në vend, Krasniqi tha se nuk do ta votojnë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e Qeverisë së kaluar, sepse siç thotë ai, Kosova nuk mund të ec para me ata që e kthyen prapa. /Klankosova.tv