-0.1 C
New York
Monday, January 12, 2026

Buy now

Konsulli i Kosovës në Frankfurt e pëlqen postimin ku Hashim Thaçi akuzohet për ‘vrasje e plaçkitje’: E bëra pa qëllim

Gëzim Gashi, konsull i Republikës së Kosovës në Frankfurt, është përfshirë në një diskutim jo fort të mirë në rrjete sociale, ku përmendet emri i ish-presidentit të Kosovës dhe ish-drejtorit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit.

Pavarësisht se Thaçi tash e më shumë se 5 vjet është në Hagë, kjo nuk e ka penguar konsullin Gashi që ta ‘lëshojë dorën’.

Konsulli i Kosovës në Frankurt ka pëlqyer një postim në rrjete sociale ku në drejtim të Hashim Thaçit bëhen akuza të rënda, përfshirë vrasje e plaqkitje.

Postimi është bërë nga i ashtuquajturi gazetar me emrin ‘Vudi Xhymshiti’, e të cilin e ka pëlqyer konsulli kosovar në Frankurt.

“E kuptoj si disa e quajnë heroizëm kur një politikan mbështillet me lavdinë e luftës për ta arsyetuar një plaçkitje njëzetvjeçare. E kuptoj si për një pakicë, flamuri kthehet në monedhë dhe lavdia në perde tymi, ndërsa Kosova zhvishet vit pas viti, si një shtëpi e grabitur natën nga ata që betoheshin se do ta ruanin ditën. E kuptoj si në emër të “paqes” e patën shpallur heroizëm ruajtjen dhe instalimin i interesave të Serbisë në zemër të Kosovës. E kuptoj edhe më keq, si në këtë teatër hijesh u vranë politikanë, aktivistë e gazetarë, jo gjithmonë me plumb, por me errësirë, me harresë, me baltë. E kuptoj se si e vërteta mbytet ngadalë, që të mos bëjë zhurmë”, thuhet në këtë postim me akuza të rënda, për të cilat nuk ofrohet asnjë fakt, e të cilin e ka pëlqyer Gashi.

Gashi figuronte në mesin e personave që kishin bërë ‘like’ këtë postim, pra që pajtoheshin me të, pavarësisht se akuza të njëjta ndaj Thaçit e eprorëve të tjerë të UÇK-së, kishte pasur kryesisht nga Beogradi zyrtar.

Me një kërkim në rrjete sociale, del se profili i konsullit Gashi është i tij personal, dhe se aty ai shpërndante postimet e ambasadës në Gjermani, dhe të konsullatës në Frankfurt.

Kurse, në faqen e Ministrisë së Jashtme konfirmohet se i njëjti person ka rolin e konsullit, pra një prej pozicioneve më të rëndësishme në diplomaci.

Megjithatë, ‘hileja’ e Gashit qëndron se ai e hoqi pëlqimin në momentin që gazeta Nacionale dërgoi pyetje në drejtim të konsullatës në Frankfurt. Kjo konfirmohet pasi në postimin e njëjtë, më nuk figuron emri i këtij konsulli si pëlqyes i postimit.

Në përgjigjet që Konsullata ia ka përcjellur Nacionales, Gashi është arsyetuar se pëlqimin e ka bërë pa qëllim.

“Për qartesimin tuaj, pelqimi i një postimi i tillë ka ndodhur pa qëllim dhe se Konsulli i Pergjithshem nuk përfshihet në diskutime të tilla”, thuhet në përgjigje.

Në përgjigje thuhet më tutje se çështjet e drejtësisë janë të ndara, dhe ata nuk ndërhyjnë. Nacionale e pyeti Konsullatën nëse Gashi beson njëmend se Thaçi ishte përfshirë në vrasje e plaqkitje. Përgjigja ishte “Jo nuk beson”.

Në anën tjetër, diplomacia kosovare është kritikuar në vazhdimësi për punën e dobët që e ka bërë në raport me Gjykatën Speciale, dhe ngritjen e zërit për qindra padrejtësi në procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së.

Kjo nuk është hera e parë që diplomatë e figura të tilla përfshihen në diskutime të tilla publike.

Të ngjashme

Të fundit