Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter”.
Inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës (përfshirë edhe Drejtorinë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës), si dhe Komisionin e procesit të gradimit. Kërkesa për inspektim ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve mbi numrin e konsideruar të ankesave të drejtuara në IPK lidhur me rregullsinë e procesit të gradimit për rreshter.
Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet integriteti i procesit të gradimit dhe të hidhet dritë mbi rregullsinë e tij. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me identifikimin e pozitave të lira dhe analizën e nevojave për personel të graduar, respektimin e parimeve të trajtimit të barabartë të palëve, aplikimin dhe testimin, vendimmarrjen, transparencën, si dhe trajtimin e ankesave të palëve të pakënaqura.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin ekzekutiv, drejtues dhe atë administrativ.
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë tetë (8) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policor me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike, përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim, etj.
IPK pret nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar Raportin e inspektimit si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë.
Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim):