Presidenca e Kosovës është përballur me një goditje institucionale pasi një nga konkurset e saj të rekrutimit është shpallur i paligjshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, shkruan Demokracia.com.
Vendimi ngre dyshime serioze mbi respektimin e ligjit dhe menaxhimin administrativ në Zyrën e Presidentes, veçanërisht për faktin se procedurat janë autorizuar nga një ushtrues detyre që, sipas ligjit, kishte tejkaluar afatin maksimal të lejuar.
Sipas vendimit të datës 23 janar 2026, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka aprovuar si të bazuar ankesën e parashtruar nga kandidatja E.B., duke anuluar në tërësi procedurën e pranimit me numër reference RN00017594, për pozitën “Zyrtar i Lartë për Organizimin e Eventeve” në Zyrën e Presidentes së Kosovës.

Në arsyetimin e vendimit, Këshilli ka konstatuar se procedura e rekrutimit është iniciuar dhe zhvilluar mbi baza të paligjshme, për shkak se autorizimi për shpalljen e konkursit dhe themelimin e Komisionit të Pranimit është bërë nga ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Presidencës, i cili e kishte tejkaluar afatin ligjor të ushtrimit të përkohshëm të kësaj pozite.
Dokumenti sqaron se pozita e Sekretarit të Zyrës së Presidentes ka qenë e mbuluar me ushtrues detyre që nga dhjetori i vitit 2020, duke e tejkaluar dukshëm kufirin maksimal të përcaktuar me nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Si pasojë, çdo vendim i marrë pas skadimit të këtij afati konsiderohet juridikisht i pavlefshëm.
Këshilli i është referuar edhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, e cila ka sqaruar se tejkalimi i afatit të ushtrimit të detyrës e bën të pavlefshëm çdo akt juridik të nxjerrë në mungesë të kompetencës ligjore, pavarësisht ndërrimit të personave në atë pozitë.
Sa i përket konkursit tjetër për pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Publikun” (RN00017639), Këshilli ka vendosur për përfundimin e procedurës administrative, pasi kjo procedurë ishte anuluar më herët me një vendim tjetër përfundimtar, duke e bërë objektin e ankesës të pamundur për shqyrtim të mëtejmë.
Me këtë vendim, Zyra e Presidentes obligohet që brenda 15 ditësh të ndërmarrë veprimet e nevojshme administrative për zbatimin e vendimit dhe të njoftojë me shkrim Këshillin për hapat e ndërmarrë.






