Home Lajme Konjufca u prit nga kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yaël Braun-Pivet

Konjufca u prit nga kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yaël Braun-Pivet

0
Konjufca u prit nga kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yaël Braun-Pivet

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës zyrtare në Francë, shoqëruar nga ambasadori Mehdi Halimi, shefi i stafit, Ilir Kërçeli dhe këshilltari Donik Sallova zhvilloi takime me drejtues të lartë të parlamentit francez.

 

Kryetari Konjufca u prit në takim nga kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Francës, znj. Yaël Braun-Pivet, nënkryetarja e Asamblesë Kombëtare, znj. Valérie Rabault, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, z. Jean-Louis Bourlanges, deputeti për francezët që jetojnë jashtë Francës, z. Frédéric Petit dhe Kryetari i Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë, z. Jean-Philippe Ardouin.

 

Në këtë takim miqësor dhe të frytshëm u theksua nevoja për thellim të bashkëpunimit midis dy vendeve aleate, si në rrafshin e raporteve mes institucioneve parlamentare, ashtu edhe në nivel të plotë shtetëror.

 

Kryetari Glauk Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është shumë e interesuar që partneriteti mes dy vendeve të jetë jo vetëm i vazhdueshëm dhe i palëkundur, por edhe të thellohet më tej duke lëvruar gjithë potencialin e vet, nga pikëpamja institucionale, kulturore, ekonomike dhe politike.

 

Kryetari Konjufca falënderoi homologen granceze Yaël Braun-Pivet për kontributin e Francës në drejtim të Kosovës ndër vite, asistencën e vyer që Kosovës i ka sjellë sot sukses në cilësitë e shtetndërtimit, në sundim të ligjit dhe demokratizimin shembullor në rajon.

 

“Arritjet e shtetit tonë janë edhe suksese të aleatëve tanë që na kanë mbështetur dhe kanë dhënë kontributin e tyre, e ndaj të cilëve ne jemi mirënjohës”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

 

Gjatë diskutimit lidhur me situatën aktuale në Kosovë dhe sfidat që ajo ka para vetes, kreu i Kuvendit theksoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës ndaj angazhimeve të saj që në vëmendje kanë shembullin, mjetet dhe frymën e Bashkimit Evropian, unionit të vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.​

Exit mobile version