Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka pritur në takim ish-shefin e misionit të OSBE-së në vendin tonë, ambasadorin amerikan William Walker. Konjufca ka thënë se me Walker kanë kujtuar një pjesë të së kaluarës si dhe kanë diskutuar zhvillimet aktuale.
Konjufca e quan Walker mik të madh të Kosovës, i cili i transmetoi botës të vërtetën, në kohën kur Kosova po digjej flakë, e populli i pafajshëm vritej e masakrohej brutalisht ditë e natë.
“Është një kënaqësi e madhe për mua sa herë që takohem me ish-shefin e misionit të OSBE-së në vendin tonë, mikun e madh të Kosovës, ambasadorin amerikan William Walker. Z. Walker, pa ju trembur syri i pati thënë Millosheviçit të vërtetën në sy dhe i transmetoi botës atë që pa e përjetoi, të vërtetën që ajo duhet ta dinte, në kohën kur Kosova po digjej flakë, e populli i pafajshëm vritej e masakrohej brutalisht ditë e natë. Historia e udhëtimit të tij, veçanërisht dëshmia për Masakrën e Raçakut ishte kyç në shtyrjen e NATO-s për të nisur fushatën e saj të bombardimeve kundër Jugosllavisë. Sot e kujtuam një pjesë të së kaluarës, diskutuam edhe për të arriturat në vend dhe zhvillimet aktuale në vend, rajon e botë. Mirënjohës gjithmonë për z. Walker”, ka shkruar Konjufca.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=714171060080592&id=100044631120296&mibextid=Nif5oz