Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš.
Në këtë takim, kryetari Konjufca e njoftoi z. Frangeš me aktualitetin politik në Kosovë, e cila sapo ka kaluar nëpër një periudhë fushate elektorale dhe zgjedhjesh parlamentare, që do të përcaktojë legjislaturën e re të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetari Konjufca shprehu vlerësim për raportet midis Republikës së Kosovës dhe Sllovenisë, duke i konsideruar ato të rëndësishme, sidomos në perspektivën e ambicieve tona të integrimeve evropiane apo anëtarësimit të vendit tonë në strukturat ndërkombëtare.
Më tutje, ai shtoi se dy vendet tona ndajnë vlera, qëllime dhe interesa të përbashkëta, prandaj duke ruajtur angazhimin dhe gatishmërinë tonë duhet të përdorim të gjitha mundësitë për të thelluar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera në të gjitha drejtimet.
Kryetari Konjufca e falënderoi z. Anžej Frangeš për vizitën dhe për diskutimin e frytshëm, që zhvillohet përbrenda kuadrit të partneritetit të vyer e të palëkundur midis vendeve tona.