17.4 C
New York
Sunday, September 8, 2024

Buy now

Konjufca: Ta rrisim ndërgjegjësimin në lidhje me politikat e përgjegjshme gjinore

- Advertisement -

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u lansua sot faza e dytë e Projektit ”Më shumë Zgjedhje: Politikat e Përgjegjshme Gjinore për Familjen për Sektorin Privat në Kosovë- Faza e dytë”.

Projekti në fjalë është direktivë e Bashkimit Evropian mbi balancën punë-jetë, që ndërlidhet me politikat miqësore ndaj familjes, me theks të veçantë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, duke u mundësuar atyre kushte të favorshme edhe për kujdesin ndaj fëmijëve njëkohësisht.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke u shprehur shumë optimist për ndikimin pozitiv që do ta ketë ky projekt si dhe nisma të tilla të ngjashme, që janë shumë të nevojshme për të krijuar një shoqëri më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse, tha se me lansimin e fazës së dytë të këtij projekti, në radhë të parë po promovohet rëndësia që e kanë politikat familjare të përgjegjshme ndaj gjinisë në sektorin privat. Njëkohësisht, sipas tij, ky projekt pasqyron angazhimin për krijimin e vendeve të punës që u përshtaten nevojave të ndryshme të punonjësve dhe promovojnë barazinë gjinore.

“Kuadri ynë ligjor ka shënuar përmirësime në lidhje me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen në drejtim të përputhshmërisë me standardet e BE-së, prandaj është në përgjegjësinë tonë si institucione të shtetit, shoqëri civile, biznese që të rrisim ndërgjegjësimin në lidhje me politikat e përgjegjshme gjinore për familjen dhe ndikimin që kanë ato në parametrat socialë e ekonomikë të shtetit, duke dëshmuar përkushtim në zbatimin e tyre”, theksoi kryetari Konjufca.

I pari i Kuvendit shtoi se ky projekt do të shërbejë si një inkurajim për të gjithë punëdhënësit që të zbatojnë këto politika në vendin e punës, për të nxitur një mjedis pune mbështetës, prej së cilës përfitimi është i dyanshëm.

Kryesuesja e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, duke vlerësuar lart partneritetin me UNFPA-në ndër vite, tha se ky projekt dhe nisma të tilla të ngjashme inkurajojnë diskutimin publik dhe promovojnë politika transformuese. Ajo listoi edhe masat që janë marrë në promovimin e vlerave për barazi, sikurse shtesat për fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, pagesa e lehonisë për 6 muajt e parë e të gjitha lehonave të papuna, sigurimi i bursave për vajzat në fusha deficitare si Teknologjia e Informacionit, fillimi i zbatimit të planit për ndërtimin e banimit social dhe për strehim të përballueshëm për çiftet e reja që sapo kanë krijuar familje, si dhe për rritjen e numrit të qendrave publike të kujdesit për fëmijët.

Sipas saj, në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova është e përkushtuar dhe e obliguar që të harmonizojë legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Evropian.

“Sipas agjendës legjislative të qeverisë, aktualisht janë duke u rishikuar disa ligje bazë, andaj politikat e përgjegjshme gjinore për familjen janë një instrument i rëndësishëm për fuqizimin e grave dhe më gjerë. Ato mbështesin fuqizimin e fëmijëve, burrave, familjeve dhe shoqërive në përgjithësi dhe nëse promovohen fuqishëm dhe zbatohen siç duhet nga qeveria dhe sektori privat, do të korrim përfitime në planin afatgjatë”, tha deputetja Mulhaxha Kollçaku.

Në fjalën e saj, Shefja e Zyrës së Agjencionit Austriak për bashkëpunim në Kosovë, Sandra Horina, duke falënderuar të gjithë akterët pjesëmarrës të programit e posaçërisht kryetarin Konjufca për mbështetjen, e cilësoi këtë fazë shumë të nevojshme dhe transformuese për një shtet sikurse Kosova, ku një pjesë dërrmuese e grave nuk mund ta ushtrojnë karrierën e tyre për shkak të kushteve jo të favorshme me të cilat vazhdojnë të ballafaqohen ende, sidomos gratë në viset rurale.

Kjo fazë e dytë e projektit, sipas saj, konsiston në faktin se si direktiva balancuese punë-jetë të mund të transformohet dhe të zbatohet në kuadër të Ligjit për Punë në Kosovë.

Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko Nimani, e konsideroi nismën pasqyrë të angazhimit kolektiv për të nxitur një mjedis ku çdo individ, pavarësisht nga gjinia, mund të përparojë, si në shtëpi ashtu edhe në vendin e punës.

Politikat familjare të përgjegjshme gjinore, shtoi ajo, janë thelbësore për krijimin e një shoqërie më të barabartë dhe të qëndrueshme.

“Inkurajimi i burrave për të marrë rolet e kujdesit lehtëson barrën e grave dhe nxit një mjedis më gjithëpërfshirës dhe mbështetës për të gjithë. Duke adresuar normat e dëmshme shoqërore dhe duke promovuar atësinë e angazhuar, ne mund të çrrënjosim stereotipet që i kufizojnë burrat si mbajtësit e familjes dhe gratë si  kujdestarë të papaguar”, theksoi Mujko Nimani, duke shtuar se ky projekt kontribuon në mirëqenien, respektimin e të drejtave, barazinë gjinore dhe rritjen ekonomike.

Pas ceremonisë, në kuadër të lansimit të fazës së dytë të projektit “Më Shumë Zgjedhje” në ambientet e Kuvendit u hap edhe ekspozita me fotografi, mbështetur nga UNFPA.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit