9.8 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nëntorit

- Advertisement -

 

Shpallja e Pavarësisë Kombëtare shqiptare nga Perandoria Osmane më 28 Nëntor 1912 dhe themelimi i shtetit sovran, përbën ngjarjen më të rëndësishme historike për të gjithë shqiptarët.

 

Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në pritjen festive të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, në shënim të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Në prezencë të drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit të Kosovës, kryeministrit Albin Kurti, deputetëve, ministrave, anëtarëve të korit diplomatik dhe të pranishmëve të tjerë të shumtë, kryetari Konjufca tha se pavarësisht se shteti i ri shqiptar u njoh në përmasa më të reduktuara territoriale në raport me shtrirjen gjeografike të popullsisë shqiptare, lufta për çlirim dhe pavarësi, emancipim dhe shtet u zhvillua gjatë në kohë dhe i përfshiu të gjitha trevat shqiptare. Kjo luftë për pavarësi, shtoi kryetari Konjufca, erdhi si rezultat i zgjimit tonë kombëtar dhe i ngritjes së vetëdijes mbi identitetin tonë të përbashkët etnik, historik, gjuhësor e kulturor shqiptar.

 

“Ky përbashkim kombëtar gjithëshqiptar që nisi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe kulmoi me Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë, ishte meritë e veprimtarisë së palodhur patriotike e emancipuese, arsimore e kulturore, politike e mobilizuese e rilindasve tanë. Autoktonia jonë e lashtë, gjuha e vjetër shqipe, lufta e Skënderbeut për lirinë e Arbrit dhe përkatësia Perëndimore e shqiptarëve ishin vlerat mbi të cilat Rilindja jonë Kombëtare e rizgjoi dhe e ngriti kombin shqiptar pas një periudhe gati pesëshekullore nën pushtim”, tha kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se një rizgjim i tillë nuk mund të kishte sukses veçse përmes flamurit kuq e zi me shqiponjën dykrenare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

 

Prandaj, shtoi kryetari i Kuvendit, 28 Nëntori festohet edhe si Dita e Flamurit kombëtar shqiptar, jo veç në Shqipëri, por gjithandej ku ka shqiptarë, sepse ky flamur ishte ngrehina jonë kombëtare e përkatësisë dhe identitetit, e mbrojtjes dhe rezistencës, atëherë kur sovraniteti ynë kombëtar ishte i paplotë, e Shqipëria e 1913-ës ishte e pamjaftueshme.

 

“Më 28 Nëntor ne i kujtojmë gjithmonë Ismail Qemalin e Isa Boletinin, si dhe gjithë patriotët nënshkrues të deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, që vinin prej të gjitha tokave shqiptare”, tha në vijim kryetari Konjufca, duke e konsideruar Kuvendin Kombëtar të Vlorës si dëshminë tjetër të madhe të vetëdijes sonë kombëtare shqiptare, pas Lidhjes së Lezhës dhe Lidhjes së Prizrenit.

 

“Po ashtu, ne sot i kujtojmë edhe ata të cilët inspiruan idealet e 28 Nëntorit, punuan e luftuan për realizimin e tyre gjatë gjithë shekullit njëzet, deri në luftën tonë çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 28 Nëntori është festë edhe e shtetit të Kosovës, sepse vetë shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nëntorit, është përmirësim i padrejtësisë njëshekullore kundrejt popullit të ndarë shqiptar. Prandaj, nuk është e rastit që edhe UÇK-ja, Ushtria jonë Çlirimtare doli publikisht me 28 Nëntor, e që është edhe ditëlindja e Komandantit të saj, Adem Jasharit”, nënvizoi kryetari Glauk Konjufca.

 

Kreu i Kuvendit rikujtoi se Shqipëria me hapjen e kapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjendet sot më pranë idealeve të rilindasve kombëtarë sesa ndonjëherë përgjatë historisë së saj më shumë se njëshekullore të pavarësisë.

 

“Ky bashkim final i Shqipërisë me Evropën do të jetë edhe plotësim i ëndrrës së rilindasve dhe shumë patriotëve e veprimtarëve që Shqipërinë e panë gjithnjë pjesë të qytetërimit evropian dhe perëndimor. Me këtë rast e urojmë Republikën e Shqipërisë për progresin që ka realizuar në këtë rrugëtim historik drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Të nderuar vëllezër e motra, Gëzuar 28 Nëntorin e pavarësisë dhe të flamurit kombëtar”, tha në fjalën e tij kryetari Konjufca.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit