Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rënia heroike e Jasharëve, i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Konjufca tha se “sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë në Prekaz e do të frymëzohet aty ku u ngjiz liria”.
Fjala e plotë:
Shumë i dashuri Baci Rifat,
Të nderuar anëtarë të familjes Jashari,
Faleminderit që po na nderoni në Kuvend me praninë tuaj!
E nderuara Presidente, Vjosa Osmani Sadriu,
Kryeministër Kurti,
Të nderuar deputetë,
Zëvendëskryeministra,
Ministra të Kabinetit Qeveritar,
Të dashur Ambasadorë,
Faleminderit që jeni të pranishëm këtu!
I nderuar President Sejdiu,
Të dashur të pranishëm,
Përfaqësues të institucioneve tona të rëndësishme shtetërore,
Për kombet në botë më e rëndësishmja është liria.
Por vjen një pikë kur liria bëhet e barabartë me ekzistencën.
Pikëprerja e lirisë me ekzistencën është dinjiteti.
Ekzistenca pa liri është jetë pa dinjitet.
Jeta bëhet jonjerëzore, jetë e pajetueshme.
Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë.
Jasharët në krye me Ademin e Hamzën, me Bacin Shaban e të gjithë familjarët, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri.
Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës – Liri a Vdekje!
Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri.
Liria është si ajri, por ajo nuk rri pezull.
Ajo ngrihet mbi themele të forta.
Kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë.
Siç thoshte Hamza – ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë: guri peshon në tokën e vet.
Themelet e lirisë sonë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve.
Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve.
Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurse Ushtria e Kosovës, e njësuar me popullin, e çliroi atdheun tonë nga Serbia.
Pavarësia e shtetit tonë është rezultat i këtij procesi.
Nuk e di kurrë se a janë fjalët të afta ta thonë krejt ngjarjen.
Nuk e dimë kurrë se a mund ta kuptojmë plotësisht përmasën e kësaj sakrifice.
Druaj nëse vërtet mund t’i dalim hakut ne të gjallët heroizmit të tyre.
Por një gjë të thjeshtë me siguri e di sa është i sigurt edhe gjaku i tyre – se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë ne Prekaz, e do të frymëzohet, aty ku u ngjiz liria.
Lavdi Jasharëve! Zoti e bekoftë kombin tonë të pamposhtur!