Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se kryeterroristi Milan Radoiçiq ka paguar njerëz për të ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Konjufca thotë se ka veprimtari të disa personave që e konsiderojnë vetën struktura, e të cilat janë nënkontrollin e Radoiçiqit.
“Deklaratat e kryeministrit janë të bazuara kryesisht në informata të sakta të institucioneve tona të sigurisë, ato janë të vërteta dhe të sakta. Një konstatim i tillë nuk mund të bëhet pabazë. Një konstatim i tillë bëhet vetëm kur është informacioni i saktë i veprimtarisë së personave, të cilët ende paguhen nga Radoiçiqi, ende e konsiderojnë vetveten struktura, të cilat janë drejtpërdrejtë nën kontrollin e Radoiçiqit edhe pastaj ata është konstatuar prej institucioneve tona që e kanë informacionin e saktë që kanë pasur shumë veprimtari aktive gjatë zgjedhjeve”, tha ai në një intervistë për Tëvë1.
Konjufca dha detaje se si strukturat ilegale serbe i kanë realizuan ndërhyrjet gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Gjatë zgjedhjeve kanë pasur veprimtari të llojit të blerjes së votave, shantazhi, kontrolli dhe orientimi i votimit edhe duke mos përjashtuar edhe këto që ndodhen si lloj sulmesh dhe përdorim i metodave që janë tipike terroriste, siç ishte edhe sulmi në Zveçan. Të gjitha këto janë për me krijua një atmosferë të terrorit, të mosbesimit dhe të frikësimit të qytetarëve të Serbisë, kinse po i bindin ata që dora e fortë është nga ana e Radoiçiqit edhe pse ai është në Serbi”, deklaroi ai.
Kryekuvendari në detyrë thotë se LVV-ja do të jetë në rrugën që është nisur drejtë sundimit të ligjit.
Ai zotohet se LVV-ja do t’i “çrrënjos mbetjet e Radoçiqit”, që sipas tij janë akoma aktive në disa struktura.
“Prandaj kjo na bind edhe më shumë që rruga, të cilën e kemi ne, sidomos këto dy-tri vitet e fundit, prej 2022-23, është sundimit të ligjit me i shkua deri në fund. Jo vetëm Radoiçiqin që e shporrëm prej Kosovës, por edhe mbetjet e tij që ende i ka nëpër disa prej këtyre strukturave që po funksionojnë edhe ato me i çrrënjos. Vetëm atëherë Kosova mund të ndihet më rehat edhe popullata serbe e çliruar prej këtyre shantazheve dhe kërcënimeve dhe sulmeve të drejtpërdrejta”, deklaroi Konjufca.