Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.
Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje Ambasadorit Kolly për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, si dhe i dëshirojë suksese në angazhimet e radhës.
Ai po ashtu i cilësoi të shkëlqyera raportet ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për forcimin dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.
Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e institucioneve tona shtetërore, theksoi Kryetari i Kuvendit teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të këtij shteti mik ndaj Republikës së Kosovës në proceset integruese.
Duke e falënderuar Kryetarin Konjufca për mikpritjen, Ambasadori Kolly i vlerësoi si të veçanta raportet mes popujve dhe dy shteteve tona.