![Konjufca pranon raportin e fundit të FMN-së për Kosovën Konjufca pranon raportin e fundit të FMN-së për Kosovën](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/03/glauk-konjufca-2.jpg)
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bashkë me nënkryetaren, Saranda Bogujevci, ka pritur në takim përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga Shefi i Misionit për Kosovë, Gabriel Di Bella.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe raportet e frytshme të Republikës së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me mundësitë zhvillimore, perspektivën dhe politikat ekonomike të shtetit tonë.
Konjufca vlerësoi kontributin e FMN-së dhe shprehu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të këtij institucioni dhënë Kosovës.
Gjithashtu ai ofroi bashkëpunim të plotë të legjislativit në aspektin e kornizës rregullative e cila forcon stabilitetin financiar, disiplinën fiskale dhe avancon reformat ekonomike.
Në një kumtesë nga Kuvendi bëhet e ditur se Konjufca mirëpriti raportin e fundit të FMN-së dhe statistikat tejet pozitive për Kosovën në lidhje me punësimin formal dhe rritjen më të madhe të të hyrave tatimore në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 2020-2022.
Ndërsa Shefi i Misionit për Kosovën, Gabriel Di Bella e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Kuvendin dhe me institucionet e tjera të Republikës së Kosovës.