13.2 C
New York
Friday, October 25, 2024

Buy now

Konjufca: Përfshirja e të rinjve është thelbësore për demokracinë

- Advertisement -

Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me një varg aktivitetesh.

 

Në prani të përfaqësuesve të shumtë të shoqërisë civile, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë, hapjen e Ditës së Demokracisë e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

 

Në fjalën e tij kreu i Kuvendit tha se këtë vit kjo ditë po festohet më ndryshe, pasi që Republika e Kosovës është anëtarësuar në Partneritetin për Qeverisje të Hapur.

 

“Për ne është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme anëtarësimi në këtë organizatë, pas një periudhe të gjatë punësh dhe përpjekjesh që nuk kufizohen vetëm në legjislaturën tonë, por vijnë qysh më herët, nga e kaluara. Kjo pra përveç tjerash tregon edhe për pjekurinë e institucioneve tona, sepse janë disa projekte që vazhdojnë qysh më herët dhe kurorëzohen në njërën prej legjislaturave të caktuara”, tha kryetari Konjufca.

 

Transparenca, shtoi kryetari i Kuvendit, është vlera më demokratike e një qeverisjeje dhe kjo, siç tha ai, rrit besueshmërinë e publikut dhe të shoqërisë në institucione. Njëkohësisht e bën qytetarin hisedar të vendimmarrjes dhe pjesëmarrjes në procesin demokratik.

“Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve, duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e tyre, ngase një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.

 

Kryetari Konjufca shtoi se përbërja e legjislaturës aktuale i ndihmon deklaratës së tij, sepse 15 për qind e deputetëve janë nën moshën 35 vjeçare.

 

Ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit dhe arritjen e lirisë dhe pavarësisë, kryetari i Kuvendit e quajti testament të së kaluarës, e të cilin tha se duhet ta përcjellin me shumë kujdes te gjeneratat që po vijnë.

 

”Ne duhet të angazhohemi për krijimin e mundësive për angazhim sa më aktiv të të rinjve dhe t’i fuqizojmë ata nëpërmes programeve dhe platformave të ndryshme. Forma më e mirë se si të arrihet kjo është investimi në forcimin e edukimit dhe zhvillimit të aftësive të të rinjve tanë. Edukimi dhe përfshirja e të rinjve si një burim i rëndësishëm i zhvillimit njerëzor është thelbësor për demokracinë”, tha kryetari Konjufca

 

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila e vlerësoi si moment të rëndësishëm shënimin e kësaj dite, pasi që sipas saj Kosova ka shënuar progres të madh sa i përket demokracisë.

 

“Na gëzon fakti se sot që po shënojmë këtë ditë Kosova ka shënuar progres të madh. U radhitëm të tretët në botë në bazë të raportit Freedom House që na bën shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor, por jo vetëm. Ky progres është arritur sepse në këtë proces ka pasur përfshirje të qytetarëve, shoqërisë civile për të ndërthurur vlerat e demokracisë me iniciativat për transparencë dhe llogaridhënie në nivel qytetar”, tha Kryeziu-Hyseni.

Anëtarja e Forumit për Transparencë, deputetja Blerta Deliu Kodra tha se Kosova është një shembull i mirë për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe demokratike, por njëkohësisht adresoi disa shqetësime dhe potencoi nevojën për angazhim të përgjithshëm në tejkalimin e tyre.

 

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës u lansua edhe Doracaku për Nisma Legjislative Qytetare, përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

 

Duke përgëzuar IKD-në për hartimin e këtij doracaku, kryetari Glauk Konjufca tha se ky dokument qartëson procedurat për nismat legjislative që vijnë nga qytetarët, përderisa inkurajoi hartuesit për prodhimin e dokumenteve të tilla edhe në të ardhmen.

 

“Nëse e shohim se çfarë ka ndodhur deri tash për 12 vite me radhë, prej kur ekziston ky ligj, atëherë e kuptojmë se sa të madhe e ka rëndësinë ky doracak, për arsye se vetëm katër herë ka ndodhur që qytetarët të ndërmarrin një nismë legjislative”, tha kryetari Konjufca.

 

Kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, Arbëreshë Kryeziu Hyseni dhe anëtarët e tjerë, Driton Selmanaj, Blerta Deliu Kodra dhe Fridon Lala potencuan rëndësinë e këtij doracaku, duke e konsideruar atë instrument të rëndësishëm për të dëgjuar zërin qytetar dhe adresuar kërkesat në institucionin më të lartë ligjvënës.

 

Po ashtu u theksua nevoja për më shumë investim në krijimin e besimit reciprok midis politikës dhe qytetarëve

Drejtoresha e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg, tha se ky doracak është dëshmi për suksesin e Forumit që ta bëjë Kuvendin të qasshëm për qytetarët, duke i informuar dhe udhëzuar ata mbi të drejtën për të organizuar peticione dhe për të mbajtur përgjegjës dhe llogaridhënës institucionin përfaqësues.

 

Naim Jakaj nga IKD, gjatë prezantimit të doracakut tha se iniciativat ligjore nga qytetarët janë përdorur shumë pak në Kosovë dhe për këtë ekzistojnë shumë arsye.

 

Sipas tij, njëra nga arsyet është mungesa e shpjegimit dhe informimit publik për procedurën, qasjen dhe metodën që duhet ndjekur për të garantuar pjesëmarrje të drejtpërdrejt të qytetarëve në politikëbërje.

 

Në kuadër të shënimit të Ditës së Demokracisë në Kuvend u mbajt edhe panairi i organizatave të shoqërisë civile, lojë shahu nga persona të verbër dhe Punëtori për Demokraci me nxënës filloristë nga shkolla dhe komunitete të ndryshme të Kosovës. Po ashtu qytetarë të shumtë nga rajone të ndryshme të vendit vizituan Kuvendin, në kuadër të dyerve të hapura

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit