-4.7 C
New York
Tuesday, February 10, 2026

Buy now

Konjufca për procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Askush nuk mund të na përçajë për luftën tonë çlirimtare

- Advertisement -

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka deklaruar se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë do të përfundojë me shpalljen e tyre të pafajshëm, duke theksuar se, sipas tij, UÇK-ja ka qenë një ushtri çlirimtare dhe se populli i Kosovës ka paguar çmim të lartë gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

Ai ka bërë të ditur se ka aplikuar për të qenë i pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në ditën përfundimtare të procesit.

Ndërkohë që Konjufca, u shpreh se askush nuk mund ta ndryshojë atë që e quajti të vërtetë historike dhe se për luftën, sipas tij, ekziston unitet i gjerë politik e shoqëror në Kosovë.

Konjufca tha se personalitetet që ishin në krye të luftës, sipas tij, nuk kanë qenë aty për krime dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dhënë dëshmorët e saj, ndërsa populli ka pasur mbi 12 mijë të vrarë, përfshirë fëmijë dhe gra shtatzëna.

“Gjithë ato personalitete që ishin në krye të luftës nuk kane qenë aty për krime, nuk kanë bërë krime. Kanë qenë në krye të një ushtrie e cila është çlirimtare, e cila ka dhënë dëshmorët e saj, e ne jemi një popull i cili i kemi dhënë martirët, kemi dhënë mbi 12 mijë të vrarë, edhe fëmijë, edhe gra shtatzëna. Dhe kjo është e vërteta e historisë tonë. Kushdo që dëshiron me ndryshu këtë të vërtetë, kushdo që mundohet me goditë atë, unë mendoj që do të humbë. Dhe shpresoj e uroj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm”, tha ai.

Nënkryetari i VV-së u shpreh gjithashtu se, sipas tij, askush nuk mund ta përçajë shoqërinë kosovare për çështjen e luftës dhe të UÇK-së, duke shtuar se përplasjet politike ndërmjet partive në vite kanë qenë beteja parlamentare dhe jo debate rreth luftës çlirimtare.

Ai tha se populli e ka bërë luftën dhe se figurat që sot ndodhen në Hagë, sipas tij, kanë qenë në krye të një lufte që e konsideron të drejtë.

“Unë mendoj që askush nuk mundet me na nda e me na përça për luftën tonë çlirimtare. Për UÇK-në jemi bashkë. Të gjitha ato që kanë ndodhë në skenën politike prej vitit 2010, dikujt edhe më herët, mes LDK-së apo mes PDK-së apo mes Vetëvendosjes edhe me PDK-në, që kanë qenë në kuadër të betejave politike në parlament, grindjet tona, përplasjet tona, unë nuk mendoj që kanë qenë për luftën, për UÇK-në, për vullnetin e popullit tonë për liri. Këto janë të tjera që po i përmendni ju. Këto janë në kuadër të betejave tona të cilat kurrë nuk do të mund me na përça për atë që kemi kalu bashkë, për sakrificat, për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu kërkush nuk mundet me na hy në mes neve. As partive politike, as popullit tonë. Sepse populli e ka bë luftën dhe ato personalitete që i kemi në Hagë, ato kanë qenë në krye të luftës, në krye të luftës, e cila ka qenë një luftë e drejtë”, tha ai.

Konjufca shtoi se ka aplikuar për të qenë i pranishëm në Hagë në ditën përfundimtare të procesit dhe se synon ta përfaqësojë shtetin e Kosovës, duke shprehur pritjen se akuzat, sipas tij, janë të paqëndrueshme, shpifje dhe gënjeshtra që, siç u shpreh, e ofendojnë luftën çlirimtare.

Ai deklaroi se pret që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të shpallen të pafajshëm.

“Prapë do të shkoj në Hagë. Po, po, do të jem aty në ditën përfundimtare, kam aplikuar për me qenë aty dhe do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në atë proces. Unë pres që ky proces, këto akuza me dështu. Janë të paqëndrueshme, janë shpifje, janë gënjeshtra të cilat e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare. Dhe pikërisht sepse do të dështojnë, unë mendoj që pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, zoti Thaçi, zoti Krasniqi, zoti Veseli, zoti Rexhep Selimi, do të dalin të pafajshëm”, tha ai.

Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly Ëest, dje ka kërkuar nga 45 vjet dënim veç e veç për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Ëest i kërkoi Gjykatës Speciale po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar.

“Kërkojmë dënimin e personave konkretë pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha Ëest.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me dhunë, si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Të ngjashme

Të fundit