Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka ngritur shqetësimin për tendencat revizioniste ndaj historisë së luftës së Kosovës, para përfaqësive të huaja në Hagë.
Gjatë fjalës së tij, kryediplomati kosovar u shpreh se historia e Kosovës po përballet me interpretime të pasakta, të cilat synojnë të shtrembërojnë natyrën e luftës çlirimtare dhe ndërhyrjes së aleatëve ndërkombëtarë.
“E them këtë me shqetësim për mënyrat se si historia e Kosovës është vënë në shënjestër nga interpretime të rreme dhe të pasakta, veçanërisht në lidhje me natyrën e luftës sonë çlirimtare dhe ndërhyrjen e NATO-s,” deklaroi Konjufca.
Konjfuca shtoi se liria e Kosovës është rezultat i bashkëveprimit historik mes faktorit të brendshëm dhe atij të jashtëm.
“Kosova gjithmonë ka qenë një projekt i përbashkët mes popullsisë vendase çlirimtare dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, si dhe luftës sonë për liri,” tha ai.
Pavarësisht këtyre sfidave mbi narrativën historike, Konjufca u shpreh i bindur në triumfin e drejtësisë, duke iu referuar vetë motos së qytetit të Hagës.
“Motoja e qyteteve të Evropës, e cila është ‘Paqe dhe Drejtësi’, më jep besim se e vërteta nuk mund të shtypet apo të fshihet. E vërteta do të triumfojë,” përfundoi Konjufca.
Konjufca ka ashpërsuar së fundi tonet ndaj Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke paralajmëruar se narrativa që po ndërtohet rreth UÇK-së synon “me vendos re të zeza mbi shtetësinë dhe mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
“Kush thotë që qëllimi i UÇK-së ishte spastrimi i serbëve apo ishte eliminimi i figurave tjera politike, apo ishte targetimi i pakicave kombëtare apo i gjithë atyre që nuk pajtohen me UÇK-në. Kjo është një huqje shumë e rrezikshme, e cila qëllimin e ka fort të keq, dhe ky qëllim është me vendos re të zeza mbi shtetësinë dhe mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Në një intervistë për RTK, Konjufca foli se si përballë akuzave ndaj krerëve të UÇK-së, skena politike në Kosovë duhet të jetë e unifikuar dhe pa ndarje partiake.
“Motoja e atij është shumë qëlluar. Është jo politikë, por drejtësi, duhet për ne, për Kosovën, por të gjithë ata të cilët po përballen me këtë padrejtësi në Dhomat e Specializuara… kur përballemi me akuza ndaj UÇK-së dhe kur është puna për UÇK-në, nuk ka parti politike”, tha ai.






