7.1 C
New York
Friday, March 21, 2025

Buy now

Konjufca: Modeli fetar shqiptar vështirë të gjendet diku tjetër

- Advertisement -

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në tryezën “Dialogu ndërfetar sipas modelit shqiptar”, e cila u mbajt sot në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.

 

Gjatë fjalës së tij kryetari Konjufca tha se modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare duhet të promovohet në mënyrë akademike dhe organizative, duke qenë se është një nga fenomenet e rralla në shoqëritë e sotme.

 

“Unë besoj vërtet që ekziston një model origjinal shqiptar i bashkëjetesës fetare, një model i cili është vështirë të gjendet diku tjetër. Historia e gjatë e popullit tonë të përvuajtur tregon se në asnjë moment nuk ka pasur një konflikt i cili ka bazë fetare. Kombi ynë është bartës i katër feve të mëdha monoteiste dhe është vërtet për t’u studiuar se si nuk mund të gjendet asnjë tronditje te populli ynë, i cili është me bazë fetare që rrallë keni parë te popujt tjerë”, tha Konjufca.

 

Kryekuvendari Konjufca shtoi se ky model duhet të studiohet nga akademikët dhe të shpërndahet nëpër botë për të treguar këtë pasuri që ka populli shqiptar.

 

Siç tha kreu i Kuvendit, modeli i dytë i kësaj vlere ndër shqiptarë është bashkëjetesa që është ndërtuar me shekuj, të cilën ai e konsideroi meritë të të gjithëve, por më shumë të besimtarëve shumicë.

 

“Nuk ka vend në botë i cili mund të ketë rehati, paqe, stabilitet dhe prosperitet nëse shumica është kundër kësaj. Nëse shumica është kundër një gjëje të tillë gjithmonë do të ketë jorehati, do të ketë dhunë dhe tensione”, tha Konjufca.

 

Sipas kreut të Kuvendit, dialogu fetar nuk do të gjente vend më të përshtatshëm për t’u hapur si temë diskutimi se në Kosovë, por edhe në vendet kudo që jetojnë shqiptarët.

 

“Feja nuk është bërë asnjëherë pengesë për realizimin e synimeve kombëtare, siç ishte rasti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912,  por edhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se në historinë kombëtare ka plot prijës fetarë që kanë luftuar për çlirim nga okupatorët.

 

Kryetari Glauk Konjufca tha se shqiptarët e besimeve të ndryshme, jo që jetuan në paqe mes vete, por u bënë edhe strehë për ata që ndiqeshin, që edhe u shpëtuan, siç ishte rasti me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kjo, sipas tij, është dëshmia më e lartë e këtij virtyti të popullit shqiptar.

 

Në tryezë morën pjesë të ftuar të shumtë, personalitete të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

 

Tryeza u organizua nga shoqata “Drita”, me mbështetje nga Dioqeza Katolike e Prizrenit, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

 

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit