Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka bërë me dije se ka marrë pjesë në një takim online me mbi 40 homologë nga vende të ndryshme, ku u diskutua situata në Ngushticën e Hormuzit.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se Kosova qëndron në linjë me partnerët në thirrjen se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt.
“Ndërprerjet në këto rrugë jetike nuk janë vetëm çështje rajonale, por prekin drejtpërdrejt ekonomitë dhe stabilitetin e shumë vendeve, përfshirë edhe vendin tonë. Ato ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, në çmimet e energjisë dhe në sigurinë ekonomike në përgjithësi. Për këtë arsye, koordinimi ndërkombëtar dhe një qasje e përbashkët janë thelbësore për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike.
“Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime. Ne qëndrojmë ne linjë me partnerët tanë në thirrjen se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt” – shtoi Konjufca.
Kosova mbetet e palëkundur në mbështetje të partnerëve të saj euroatlantikë dhe në Lindjen e Mesme, për mbrojtjen e lirisë së lundrimit dhe sigurisë ndërkombëtare” – ka thënë ai.






