Kryetari i Kuvendit mori pjesë në ngritjen e flamurit, ndërsa më pas bëri homazhe te Memorali i të Pagjeturve, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksion Memorial në Prekaz
Për nder të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, mori pjesë në ngritjen solemne të Flamurit të Republikës, duke shënuar kështu edhe fillimin e aktiviteteve për këtë ditë.
Më pas, liderët shtetërorë bënë homazhe te Memoriali i të Pagjeturve, para Kuvendit të Kosovës.
Aktivitetin për nder të 15 vjetorit të pavarësisë Konjufca e vazhdoi me homazhe dhe vendosje të luleve te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Kryetari Konjufca bëri homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga ku tha se sakrificën dhe flijimin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij do ta kujtojnë gjithnjë.
Kryetari i Kuvendit tha se liria dhe pavarësia kanë qenë të pamundshme pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e momenti më i lavdishëm i luftës clirimtare ka qenë lufta e Jasharajve kundër Serbisë për çlirim dhe flijimi i gjithë familjes.
“Sakrifica e Jasharajve e ka ngritur në një dimension tjetër edhe kombin shqiptar, por në anën tjetër edhe e ka zgjuar botën, e ka tronditur ndërgjegjjen ndërkombëtare dhe prej atij momenti nuk ka pasur askush dyshim që liria për popullin shqiptar është e pashmangshme”, tha kryetari Konjufca.
Aktivitetet për nder të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës.