Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shkuar në të pame në familjen Thaçi.
Kjo me rastin e vdekjes së babait të ish-presidentit Thaçi, Haxhiu.
Konjufca pas të pames, u nënshkrua edhe në librin e zisë. Ai tha se Haxhi Thaçi e inspiroi me patriotizëm Hashim Thaçin.
Madje, Konjufca e quajti Thaçin si bartës të shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
“Të gjithë e kemi njohur si patriot të madh, plak të urtë. E ka ushqyer me patriotizëm familjen e vetë, dhe gjithë këtë pjesë të Drenicës. Mbi të gjitha e ka frymëzuar me patriotizëm djalin e tij Hashim Thaçin që ishte president i Kosovës, dhe bartës i shumë proceseve në të cilat kemi kaluar. Edhe gjatë viteve 90 prej lëvizjes studentore, e deri te në krye të UÇK-së. Bashkë me bashkëveprimtarët e tij, të cilët po e mbrojnë kauzën në Hagë, me bacin Jakup, me Rexhep Selimin, me Kadri Veselin, kanë qenë në krye të UÇK-së, falë të cilës erdhi liria. Kjo nuk do të ndodhte pa inspirimin e frymëzimin që e kemi prej prindërve tanë, ashtu siç Thaçi e ka pasur prej bacit Haxhi”, tha Konjufca, raporton Nacionale.
Kryetari i Kuvendit është figura e parë në Vetëvendosje që reagoi pas vdekjes së Haxhi Thaçit, dhe i pari që shkon për ngushëllime.
Në postimin e tij, Konjufca e çmonte lart angazhimin e Haxhi Thaçit.
“Me pikëllim mora lajmin se u nda nga jeta Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të cilët humbën të dashurin e tyre! Qëndrojmë pranë tyre në këto momente dhimbjeje! Edhe pse Haxhi Thaçi nuk është më në këtë jetë, ai do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas, në zemrat e atyre që e patën pranë dhe ndanë jetën me të”, shkruante Konjufca.