Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë në krye të një delegacioni parlamentar austriak.
Në këtë takim të përzemërt, të dy homologët diskutuan për raportet e ngushta që parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërmjet tyre, ndërsa theksuan nevojën që këto marrëdhënie të avancohen më tej, në të gjitha nivelet e jetës parlamentare.
Në takim gjithashtu u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, arritjet e saj në shumë fusha dhe sfidat që ajo ka para vetes. Në këtë kontekst, një vëmendje e posaçme iu kushtua integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe negociatave me Serbinë.
Në konferencën e përbashkët me gazetarë, kryetari Glauk Konjufca foli për rolin e demokracisë, si një projekt i rëndësishëm politiko-shoqëror, për situatën në rajon e botë, me theks të veçantë, raportet në mes të Kosovës e Serbisë, si dhe luftën në Ukrainë.
Duke folur lidhur me bashkëpunimin parlamentar midis dy vendeve, kryetari Konjufca vlerësoi mbështetjen që Parlamenti i Austrisë dhe vet kryetari Sobotka ka dhënë për ndërtimin e programit “Punëtoritë për Demokraci” në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Kur jemi te bashkëpunimi parlamentar nuk kam se si të mos ia jap një mirënjohje publike e të veçantë kryetarit Sobotka, për ‘Punëtorinë e Demokracisë’ që e kemi themeluar këtu në Kuvend vite më parë, së bashku me Parlamentin austriak. Kryetari Sobotka ka qenë shtytësi kryesor i këtij projekti, të cilin e kemi sjellë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i cili është funksional edhe sot e kësaj dite”, theksoi kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit të Kosovës bëri të ditur gjithashtu se me kryetarin Sobotka është biseduar edhe për sfidat që ka bota dhe rajoni ynë, si dhe për agresionin e papranueshëm rus ndaj Ukrainës, të cilin Kosova e ka dënuar fuqishëm.
Duke folur lidhur me dialogun me Serbinë, kryetari Konjufca tha se Kosova është nisur dhe qëndron në dialog mbështetur në dy parime, që dialogu është për njohje reciproke dhe që çfarëdo rregullimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit tha se kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mund të jetë bazë për negociata. Ai tha se Kosova nuk ka kurrfarë interesi për dialog me Serbinë, nëse ndërkombëtarët nuk e mendojnë zgjidhjen brenda Kushtetutës së Kosovës.
“Pikënisja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mendoj që nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse BE-ja nuk mendon që zgjidhja duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj që Kosova nuk ka çka të kërkojë në atë dialog më”, tha kryetari Glauk Konjufca.
Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, theksoi nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke iu dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërparlamentare.
Duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë e miqësore, kreu i Parlamentit austriak shprehu përkushtimin e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën në agjendën e saj evropiane dhe sfidave që ajo ka para vetes.
Kryetari Sobotka i konsideroi mbresëlënëse të arriturat e Kosovës në vitet e fundit. Ai tha se Kosova është zhvilluar shumë këto vite, përderisa Austria është investitorja e katërt më e madhja.
“Atë që Kosova e ka arritur në vitet e fundit është mbresëlënëse. Për fat të mirë, më 1 janar 2024 bëhet realitet liberalizimi i vizave dhe ky është një përparim i madh. Të arrihet edhe një anëtarësim në Këshillin e Evropës që është miratuar në Këshillin e Ministrave. Kjo është mënyra e diplomacisë dhe e demokracisë”, theksoi kryetari Sobotka.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, shefi i Kabinetit, Ilir Kërceli dhe këshilltarët.