Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka konfirmuar rastin e parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar, virusi është zbuluar në një fermë të mbarështimit të dhive në njësinë administrative Postribë, qarku Shkodër.
Mostrat janë marrë në terren nga Shërbimi Veterinar dhe janë analizuar në laboratorin referencë të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ku është konfirmuar prania e virusit.
Pas konfirmimit, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e parashikuara në legjislacion dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, me qëllim kontrollin, izolimin dhe menaxhimin efektiv të situatës.
Thirrje për fermerët
Autoriteti u bën thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të deleve dhe dhive që të:
Zbatojnë masat parandaluese,
Kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave,
Njoftojnë menjëherë Shërbimin Veterinar Rajonal në rast shfaqjeje të simptomave të dyshimta.
Simptomat përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe ngordhje të papritur. Për çdo rast të dyshuar, qytetarët mund të kontaktojnë numrin falas: 0800 3366.
Çfarë është Murtaja e Ruminantëve të Vegjël?
PPR është një infeksion viral që prek delet, dhitë dhe disa lloje të kafshëve të egra me thundra.
Ka një shkallë sëmundshmërie deri në 100% dhe mund të shkaktojë ngordhje deri në 80%.
Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit, por ka ndikim të madh ekonomik pasi ul prodhimin e qumështit dhe mishit. /euronews.al/