Emri i Joao Felix ndoshta ngjall ndjenja të njohura tek tifozët e Barcelona dhe Atletico Madrid.
Mesfushori portugez, megjithëse nuk ka mbushur ende 26 vjeç këtë vit, ka kaluar shumë në karrierën e tij dhe duket se po përgatitet për një tjetër transferim këtë verë.
Pasiguria dhe pyetjet e mëdha mbi sjelljen e tij kanë ndjekur Felix-in gjatë karrierës në Portugali, Spanjë, Angli dhe Itali, duke mos arritur kurrë të stabilizohet dhe të tregojë versionin më të mirë të vet.
Atletico Madrid pagoi në vitin 2019 një shifër rekord në La Liga prej 126 milionë eurosh për ta sjellë në Madrid, pas një sezoni të shkëlqyer në Benfica.
Megjithatë, koha e tij në kryeqytetin spanjoll nuk i justifikoi këto para, me vetëm 25 gola në kampionat gjatë tre e gjysmë sezoneve nën drejtimin e Diego Simeones.
Një huazim kontravers te Barcelona në sezonin 2023/24 nuk i bindë katalanasit për ta blerë atë në mënyrë të përhershme, dhe më pas ai u transferua përgjithmonë te Chelsea verën e kaluar.
Kalimi te Chelsea ka qenë një tjetër fillim i gabuar për Felix, pasi trajneri Enzo Maresca nuk ishte i bindur për të në gjysmën e parë të sezonit 2024/25.
Në fillim të vitit 2025, ai u huazua te AC Milan, por gjigantët e Serie A nuk kanë interes ta rikthejnë në San Siro, dhe ai po përballet me një tjetër vendim.
Skuadrat e La Ligës janë të kujdesshme për ta nënshkruar atë, pas vështirësive të tij te Madrid dhe Barcelona, dhe ai po konsideron një kthim të plotë te Benfica, nëse arrihet një marrëveshje.
“E njoh mirë trajnerin [Bruno Lage] dhe ai ka qenë i rëndësishëm në karrierën time. Kjo më drejton në atë drejtim dhe do të doja shumë të kthehesha te Benfica”, ka thënë Felix për Mundo Deportivo.
Kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2031, gjë që mund ta komplikojë largimin, dhe Chelsea do të duhet të ulë vlerësimin e tyre prej 20 milionë paundësh.
Në fund, statistikat e Felix te Atletico Madrid janë 34 gola në 131 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa te Barcelona në huazim shënoi 10 gola në 44 ndeshje.