Kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.

Në komunikimet që i ka siguruar portali Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut përmes platformës “Signal”.

Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.

Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.

Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.

“Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit.

Ajo që mbrohej me kërshëri nëpër media nga zyrtarët e pushtetit, del se nuk amnistohej edhe në komunikimet private.

Pra, Nagip Krasniqi, në bisedat private, ia konfirmon Dejona Mihalit, se përfshirja e Martin Berishajt në kompaninë GEN dhe përfitimet që kjo kompani ka marrë nga Kosova, janë “pak a shumë të vërteta”.

Bisedat për këtë temë, nuk ndalen.

Pas artikullit të parë, Dejona Mihali ia dërgon Nagip Krasniqit një deklaratë të Ramush Haradinajt, i cili kërkonte llogari nga Albin Kurti për skandalin me rrymë ku ishte i përfshirë Martin Berishaj.

Kjo nuk u përcoll me ndonjë reagim nga Nagip Krasniqi.

Në një tjetër shkëmbim mesazhesh në ‘Signal’, Dejona Mihalit e njofton Nagip Krasniqin për komisionin hetimor, dhe importin e rrymës.

“A je duke i ndjekur? Po sulmojnë për komisionin hetimor dhe për importin”, ia shkroi Dejona Mihali.

“Jo. Skam nerva”, ia ktheu Nagip Krasniqi.

Dejona Mihali, komisarja e VV-së, më pas vazhdon me kërkesa të qarta duke kërkuar shpjegime.

“Na nevojiten shpjegimet. Jo vetëm ne, por edhe Artanes”, thuhet në mesazhin e Mihalit.

“Dërgoni pyetjet”, ishte mesazhi tjetër i Nagip Krasniqit.

“Si urdhëron” ia kthen Mihali, mesazh i cili përcillet me pak humor “hahaha” nga Nagip Krasniqi.

Se Dejona Mihali ishte e përfshirë në secilin detaj e secilin veprim që ndërmerrej brenda KEK-ut, e konfirmon edhe një tjetër mesazh.

Mihali ia përcjell Krasniqit një link i cili flet për kryetarin e Sindikatës së KEK-ut. Aty, Mihali e pyet Nagip Krasniqin nëse kanë kontakte me këtë person.

“A mbani kontakte me këta a hiç”, pyet Mihali.

Për këtë përfshirje të Mihalit, ajo ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.