Mbrojtësi Dani Carvajal ka këputur ligamentin e gjurit, andaj më shumë gjasë sezoni 2024/25 për të ka mbaruar.
Spanjolli u pa duke bërtitur në fitoren 2:0 ndaj Villarrealit, e ky lëndim ka rezultuar të jetë shumë serioz, ngase këtij të fundit i nevojitet edhe operacioni.
Carvajal ishte ai që dha lajmin se ka këputur ligamentin kryesor të gjurit, por që do të rikthehet sa më parë që është e mundur.
“Lëndim serioz i ligamentit të gjurit. Unë do të bëhem operacion dhe tashmë kam nisur të bëhem gati për t’u rikuperuar dhe do të rikthehem si bishë”.
“Faleminderit për të gjitha mesazhet, u ndjeva shumë i dashur”.
Ndërkohë, Ancelotti ka lënë të hapur mundësinë se Reali të jetë aktive në afatin e janarit për të nënshkruar me një mbrojtës të djathtë, shkaku që Lucas Vazquez mbetet opsioni i vetëm.
“Vazquez na jep shumë besim. Gjatë pushimit ndërkombëtar do të kemi kohë për të diskutuar, duke marrë parasysh se tregu është i mbyllur dhe nuk kemi shumë opsione”.
Përndryshe, te Real Madridi është lënduar edhe Vinicius Junior, i cili ka pësuar dëmtim në qafë por që nuk duket se është shumë serioze.