9.8 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Konfirmohet: BE-ja ia ndau Gjykatës Speciale gati 100 milionë euro për dy vitet e ardhshme

- Advertisement -

Gjykata dhe Prokuroria e Hagës vazhdojnë ta kenë financues kryesor Bashkimin Evropian, raporton Nacionale.

Ashtu siç ka raportuar gazeta Nacionale rreth fondeve të reja që ka pranuar Specialja, është konfirmuar edhe nga kjo e fundit në raportin vjetor.

Në raportin e punës për vitin 2023, është theksuar se Komisioni Evropian ka ndarë saktësisht 90 milionë euro për Gjykatën Speciale. Kjo shumë që do të përdoret prej qershorit 2023, deri në qershor 2025.

“Procesi u mbyll me sukses me miratimin e buxhetit prej 97 100 000 eurosh për periudhën 15 qershor 2023 – 14 qershor 2025. NJFB-ja punoi me Komisionin Evropian për pagesën e shpejtë të këstit të parë, i cili u mor në qershor 2023”, thuhet në raport.

Kontata paraprake mes Speciales dhe BE-së, ishte afro 103 milionë për periudhën qershor 2021 – qershor 2023.

“Krahas saj, DHSK-ja administroi fonde në përputhje me Kontratën e Pestë për Subvencionim, që u nënshkrua nga Administratorja në emër të DHSK-së dhe ZPS-së, dhe Komisioni Evropian, për periudhën dyvjeçare 15 qershor 2021 – 14 qershor 2023, në shumën prej 103 279 698 euro. Krahas fondeve të akorduara nga BE-ja, DHSK-ja administroi edhe shumën prej 147 000 euro, të akorduar nga qeveria zvicerane për aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese të DHSK-së në vitet 2022 dhe 2023”, thuhet në raportin vjetor.

Për ndarjen e re buxhetore, Nacionale kishte raportuar kohë më parë bazuar në dokumentet publike të Bashkimit Evropian.

Gati 400 milionë euro për 9 vjet

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vetëm për 9 vjet nga Bashkimi Evropian kanë pasur rreth 400 milionë euro fonde që janë ndarë.

Nacionale kohë më parë kishte publikuar një artikull që tregonte se Specialja për 7 vjet nga BE-ja kishte përfituar 275 milionë euro. Nëse i shtohet edhe granti i fundit mbi 106 milionësh, atëherë shuma totale e kalon 380 milionëshin.

Kjo është vetëm një nga mënyrat e financimit të Speciales, të cilat gjithashtu përfitojnë edhe nga shtetet e treta kontribuese si Norvegjia, Zvicra, Amerika e shtete të tjera.

2016 – 2017: Shtetet anëtare të BE-së e kanë përkrahur Gjykatën Speciale me buxhet prej 29 milionë e 100 mijë euro.

2017 – 2018: Shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar buxhet për Specialen në vlerë 41 milionë e 314 mijë euro.

2018 – 2020: Për këto dy vjet, Bashkimi Evropian ka ndarë buxhet për Dhomat e Specializuara në vlerë 86 milionë e 250 mijë euro.

2021 – 2023: Për këto dy vite BE-ja ka ndarë 110 milionë e 279 mijë euro.

2023 – 2025: Nga qershori 2023 deri në qershor 2025 mbi 106 milionë euro.

Pagesat e avokatëve

Kjo sasi fondesh për Specialen, është e ndryshme me mënyrën e financimit të avokatëve për personat e akuzuar në Hagë.

Përveç fondeve vetanake, avokatët kompensohen edhe me një fond nga Ministria e Drejtësisë.

Me ndryshimin e udhëzimit administrativ, për një të akuzuar për krime lufte në fazën e gjykimit, MD-ja mund të kompensojë deri në 110 mijë euro në muaj. Nëse marrim shembull katërshen e krerëve të UÇK-së, Salih Mustafën e Pjetër Shalën, atëherë për të gjashtë brenda vitit Kosova ka ndarë gati 8 milionë euro.

Me nga 1 mijë euro në muaj kompensohen avokatët e të akuzuarve për pengim të drejtësisë. Duke ditur se në Hagë po gjykohen katër persona për pengim të drejtësisë, atëherë shuma brenda vitit shkon në 50 mijë euro. Pra, 10 milionë euro brenda vitit nuk kalohet në asnjë rrethanë, për buxhetin që ndahet nga Ministria e Drejtësisë.

Kurse, fondet për Dhomat e Specializuara viteve të fundit, brenda 365 ditëve, vetëm nga BE-ja, del se kalojnë 50 milionëshin. Kjo pa llogaritur edhe fondet e tjera nga shtetet e treta.

Krahasimi me sistemin e drejtësisë në Kosovë

Një krahasim tjetër është edhe ai me institucionet e drejtësisë në Kosovë, më saktë për Këshillin Gjyqësor e Prokurorial të Kosovës.

Buxheti për vitin 2023 i Këshillit Gjyqësor të Kosovës kishte qenë 35 milionë euro, kurse për Këshillin Prokurorial të Kosovës mbi 15 milionë. Kjo ishte bërë e ditur në një hulumtim të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Në total, del se brenda vitit, dy institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë buxhet rreh 50 milionë. Pra, pak më të ulët se Dhomat e Specializuara të Kosovës, nëse i krahasojmë vetëm me buxhetin që ka ndarë Bashkimi Evropian për Specialen.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit