Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila akuzohet nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në aktvendimin që është publikuar nga mediumi “Paparaci”, i cili mban datën 13 mars, është refuzuar ankesa e tashmë deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje për hedhje të aktakuzës.

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën për hedhje të aktakuzës e cila është parashtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve.

“Refuzohen si të pabazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve: Rozeta Hajdari av. Florent Latifaj, Irfan Lipovica av Feim Alaj, Hafiz Gara av. Nazim Mehmeti dhe Ridvan Muharremi av. Mahmut Halimi, të ushtruar ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale…”, thuhet në aktvendim.

Hajdari, akuzohet bashkë me dy zyrtarë të Ministrisë, Irfan Lipovicën dhe Hafiz Garën, si dhe me biznesmenin e afërt me Vetëvendosjen, Ridvan Muharremin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me procesin e rezervave shtetërore – për mosardhjen e shumë produkteve të blera, anashkalim të procedurave ligjore dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Dëmi llogaritet të jetë rreth 3 milionë euro

Të ngjashme

Të fundit