Gazeta SCANNER të shtunën ka mbajtur sesionin e katërt të trajnimeve në kuadër të projektit “Fuqizimi i bashkëpunimit komunitar në Kosovë: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komuniteteve”, i cili mbështetet nga Zyra për Çështjen e Komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Sesioni i katërt i trajnimit me titull: “Të drejtat e komuniteteve në Kosovë sipas legjislacionit në fuqi” është mbajtur shkollën “Pandeli Sotiri” në Plemetin, Komuna e Obiliqit.
Trajneri Dardan Berisha, para komunitetit egjiptian në Plemetin, ka folur në detaje për kornizën ligjore të cilën e ka Kosova sa i takon komuniteteve në përgjithësi.
Në këtë drejtim, ai ka ligjëruar për të drejtat e komuniteteve të cilat janë të sanksionuar me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës.
Po ashtu, Berisha ka ligjëruar për mjetet juridike të cilat mund t’i shfrytëzojnë komunitetet në rast se ndihen të diskriminuar gjatë realizimit të të drejtave të tyre.
Sikurse në trajnimet e kaluara edhe në Plemetin, komuniteti egjiptian atje ka ndarë përvojat e tyre në raport me sfidat që kanë. Sipas tyre, sfidë për ta vazhdon të mbetet punësimi dhe shkollimi.